E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e Komunitetit Mysliman, përplasje tek ish-disko "Albania"

Problemet me pronat nuk
kanë të sosur për Komunitetin
Mysliman të Shqipërisë.
Ata pretendojnë
se prona prej 700 metrash katrorë
dhe ish-bodrumet e Mapos nr.
2 pranë ish-disko "Albania" në
Tiranë janë në pronësi të saj
që në vitin 1938 dhe për këtë
Komuniteti disponon të gjithë
dokumentacionin e nevojshëm
për të provuar atë. Megjithatë,
gjykata nuk ka menduar kështu
dhe kjo ka sjellë herë pas here
probleme dhe përplasje mes
palëve. Kështu ka ndodhur edhe
dy ditë më parë, kur është dashur
ndërhyrja e policisë për shuarjen
e konfliktit.
Policia është njoftuar rreth
orës 11:00 se një konflikt po ndodhte
tek ish-disko "Albania", që
ndodhet pas Pallatit të Kulturës,
në qendër të Tiranës. Në këto
kushte, shërbimet e Komisariatit
nr. 1 kanë shkuar në vendngjarje,
ku sipas të dhënave, aty ka pasur
edhe përfaqësues të Përmbarimit.
Dy palët që pretendojnë për
këtë objekt se është i tyre kanë
hyrë në konflikt e për pasojë,
është dëmtuar edhe dera e jashtme
e ambientit. Por, uniformat
blu kanë mundur të qetësojnë
gjakrat, ndërsa ka identifikuar
personin, i cili ka dëmtuar derën
e ish-disko "Albanias". Sipas të
dhënave policore, pas kryerjes
së të gjitha veprimeve hetimore,
u dërgua për ndjekje penale në
gjendje të lirë shtetasi Rino Beqir
Jonay, 46 vjeç, biznesmen amerikan
me kombësi shqiptare. Sipas
policisë, ky person dyshohet se
në Rrugën e Dibrës, ka dëmtuar
derën e disko "Albania", pronë
e Komunitetit Mysliman. Nga
ana tjetër, policia ka shoqëruar
disa persona nga të dyja palët në
komisariat, por nuk është marrë
asnjë masë tjetër proceduese
për ta.
Siç pretendohet, Komuniteti
Mysliman i Shqipërisë ka pasur
në pronësinë e tij para vitit 1938
objektin, bodrumet e ish-Mapos
Nr. 2, të ndodhur në Rrugën
e Dibrës, Tiranë. Komisioni i
Kthimit dhe Kompensimit të
Pronave të Bashkisë Tiranë, me
vendimin nr. 36, datë 21.05.1995
ka vendosur: T‘i njohë dhe kthejë
Komunitetit Mysliman truallin
me sipërfaqe 700 metër katrorë
dhe bodrumet e ish-Mapos Nr.
2 (sot disko-klub "Albania"). Në
bazë të këtij vendimi, trualli
me sipërfaqe 700 metër katrorë
dhe bodrumet e ish-Mapos Nr.
2, janë regjistruar në Hipotekë
me nr. 2060, datë 24.05.1995, në
pronësi të Komunitetit Mysliman
të Shqipërisë. Më 19.06.2002, kjo
pasuri është futur në sistem dhe
është regjistruar në ZRPP Tiranë.
Gjithashtu, më 17 tetor 2006,
Komunitetit Mysliman i është
lëshuar certifikata për vërtetim
pronësie nga ZRPP Tiranë për
truallin me sipërfaqe 700 metër
katror dhe ish-disko "Albania".
Por pak kohë më parë, Gjykata
e Tiranës ka vendosur pranimin
e padisë së shoqërisë "Suisse
Manegement" sh.p.k dhe rivendosjen
në posedim të palës paditëse
të kësaj pasurie, si dhe ka
urdhëruar vënien në ekzekutim
të përkohshëm të vendimit.
Për këtë, Komuniteti Mysliman
është shprehur se gjykata ka
gabuar rëndë dhe e ka refuzuar
këtë vendim duke apeluar. Sipas
tyre, gjykata ka vendosur masën
për ekzekutim të përkohshëm
mbi pasurinë e Komunitetit
Mysliman, i cili e ka me certifikatë
pronësie, dhe ia kalon në
posedim shoqërisë "Suisse Manegement"
sh.p.k, e cila nuk ka
asnjë titull pronësie ose të drejtë
të ligjshme mbi këtë pasuri. "Me
këtë vendim, gjykata ligjëron
arbitraritetin dhe korrupsionin
e gjykatës me vendime të tilla
haptazi të kundërligjshme, duke i
marrë forcërisht pronën pronarit
të ligjshëm dhe ia jep në posedim
një personi që nuk legjitimohet
për shkak se nuk ka asnjë titull
pronësie dhe asnjë tagër mbi këtë
pasuri", theksohej disa javë më
parë në një deklaratë të Komunitetit
Mysliman.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›