Kryeministri Berisha: Arritjet e deritanishme në sistemin shëndetësor janë frymëzuese për përsosjen e shërbimit shëndetësor në të gjitha hallkat e tij
- Shqipëria renditet tashmë në grupin e vendeve të zhvilluara për sa i përket treguesve që përbëjnë shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor të një vendi
- Qeveria shqiptare nuk do të reshtë përpjekjet për një sistem shëndetësor jashtë korrupsionit dhe për të rritur transparencën në çdo procedurë
Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua mbledhja e Task-Force për reformën në shëndetësi, e cila shqyrtoi arritjet e deritanishme në disa tregues të sistemit shëndetësor në vend dhe diskutoi mbi ecurinë e një sërë proceseve të rëndësishme të reformës.
Në këtë kontekst, kryeministri shprehu vlerësim për punën e mjekëve, infermierëve, personelit të ministrisë së shëndetësisë, fakultetit të mjekësisë, si dhe strukturave të tjera, për punën me përkushtim në arritjen e nivele të larta, për sa i përket treguesve themelorë të shëndetësisë të një vendi.
Kryeministri theksoi se përbën një arritje historike fakti që Shqipëria renditet tashmë në grupin e vendeve të zhvilluara për sa i përket treguesve që përbëjnë shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor të një vendi, siç janë vdekshmëria foshnjore apo ajo amtare apo vdekshmëria në tërësi e popullatës. “Këto arritje duhet të jenë një frymëzim i ri i madh për të gjithë sistemin tonë, në mënyrë që ti përsosim shërbimin shëndetësor në të gjitha hallkat e tij, të mund të afrojmë një shërbim shëndetësor cilësor dhe natyrisht objektivat që duhet të ndjekë nuk janë më të thjeshta. E vërteta është që janë një sfidë e vërtetë.” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri shprehu kënaqësinë qe vdekshmëria foshnjore ne vend ka arritur te jete një shifrore, "Shqipëria sot arriti të ketë vdekshmëri amtare në një nga nivelet më të ulëta, Shqipëria sot qëndron në krye të të gjithë vendeve ish komuniste për vdekshmërinë e të rriturve më të ulët. Ka një studim, i cili ka studiuar vdekshmërinë nga viti 70 deri në 2010. Ne jemi afër portugezëve. Natyrisht vendet perëndimore e kanë më të ulët, si vendet anëtare të BE, si Franca , Gjermania, etj e kanë më të ultin. Më të lartë e kanë vendet ish komuniste. Në grupin e vendeve ish komuniste Shqipëria ka më të ulëtin. E them këtë pavarësisht se rruga nuk është bulevard, por mundësitë janë shumë më të mëdha dhe ne kemi mundësi të zhvillojmë fuqishëm dhe në standardet më të mira çdo sektor, të investojmë në çdo degë dhe në çdo fushë, por ajo që është më kryesorja është të ruajmë eficencën" u shpreh kryeministri.
Gjate mbledhjes dhe diskutimeve me grupin e Task Forcës një vend te veçantë Kryeministri i dha zhvillimit dhe forcimit te shërbimit te kardiokirurgjisë se fëmijëve, per rolin e madh qe ka ky shërbim ne trajtimin e hershem te defekteve te zemrës te fëmijët. Duke vlerësuar arritjet e përparimet në fushën e kardiopediatrisë e kardiokirurgjisë së fëmijëve shprehu mbështetjen maksimale të qeverisë që këto shërbime të zhvillohen e forcohen më tej.
Duke vënë theksin në rolin e rëndësishëm që ka shërbimi i hemodinamikës për fëmijë dhe të rritur, kryeministri kërkoi që të merren të gjitha masat e nevojshme që të zgjerohen, si dhe të rriten kapacitetet diagnostikuese dhe ndërhyrëse gjatë 24 orëve.
Kryeministri vuri theks të veçantë që duhet rritur nr i pacientëve që përfitojnë nga transplanti i veshkave këtu në Shqipëri.
Kryeministri përmendi gjithshtu edhe ecurinë e kënaqshme në drejtim të protokolleve të praktikës klinike apo kostifikimit të shërbimeve shëndetësore, të cilat janë procese që duhet të finalizohen dhe të përsosen më tej. Kryeministri renditi gjithashtu investime të rëndësishme në drejtim të teknologjisë, procesit të dixhitalizimit , etj, të cilat kërkojnë vijimësinë e funksionimit të tyre. “Është bërë një investim serioz në drejtim të teknologjisë, por kjo kërkon garantimin e funksionimit të saj. U inaugurua telemjekësia, por kjo kërkon shfrytëzimin maksimal të saj dhe ne vetvete vetë shfrytëzimi i potencialeve të saj përbën një sfidë për mjekun kudo që ndodhet. Përgatitje janë bërë për të ndërmarrë procesin më të plotë të dixhitalizimit. 15 milion euro është projekti më kushtueshëm. Projekti i dixhitalizimit të sistemit shëndetësor është projekti më i kushtueshëm që ne kemi si qeveri edhe më i kushtueshëm se edhe vete sistemi tatimor , etj, por ne kemi vendosur dhe do të bëjmë dixhitalizimin më të plotë.” tha kryeministri.
Kryeministri theksoi se qeveria nuk do të reshtë përpjekjet për një sistem shëndetësor jashtë korrupsionit, ndonëse situata në këtë drejtim është përmirësuar ndjeshëm. “Studime të besueshme të opinioneve faktojnë se ka më shumë se përgjysmim, qartësisht më tepër se përgjysmim të ryshfetit, por u shpreh kryeministri, ne duhet të arrimë të realizojmë transparencën në çdo veprim tonin, në mënyrë që vetëm korrupsion të mos ketë.” Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi gjetjen dhe zbatimin e mekanizmave sa më efikase për të luftuar korrupsionin në çdo hallkë dhe për të rritur transparencën.
Fjala e plotë e Kryeministrit:
“Së pari dëshiroj tu përshëndes, urime për detyrën dhe të shpreh vlerësimin tim për punën e personelit mjekëve dhe infermierëve, ministrisë së shëndetësisë, institutit, dekanatit, fakultetit sepse në një përpjekje të gjatë, të madhe, sot në disa ndër treguesit me themelore të shëndetit të një vendi, ne renditemi në grupin e vendeve te zhvilluara. Natyrisht treguesit janë të shumtë, por midis të gjithë treguesve, vdekshmëria në tërësi e popullatës, vdekshmëria foshnjore, vdekshmëria amtare përbëjnë ndër shtyllat kryesore ose ndër qëllimet më madhore të një sistemi shëndetësor dhe është arritje historike do të thoja që ky vend, ky komb renditet sot me këta tregues ne grupin e vendeve te zhvilluara.
Këto arritje duhet të jenë një frymëzim i ri i madh për të gjithë sistemin tonë, në mënyrë që ti përsosim shërbimin shëndetësor në të gjitha hallkat e tij, të mund të afrojmë një shërbim shëndetësor cilësor dhe natyrisht objektivat që duhet të ndjekë nuk janë më të thjeshta. E vërteta është që janë një sfidë e vërtetë. Sërish në themel duhet të jetë financimi. Asgjë nuk mund të jetë e qëndrueshme pa një sistem efecient financimi. Besoj se këtu biem dakord dhe ka një gjë të cilin ju të gjithë e njihni. Nuk është suksesi i një sistemi , nuk është performanca e një sistemi. Është një raport me përqindjen e buxhetit që merr. Më shumë se çdo gjë tjetër përcaktohet nga eficenca e përdorimit të këtij buxheti, mënyra se si do ta përdorim. Është bërë një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të protokolleve, por përsëri ky proces kërkon finalizimin. Është bërë një hap real në drejtim të kostifikimit, por sërish ky proces kërkon finalizimin dhe përsosjen.
Është bërë një investim serioz në drejtim të teknologjisë, por kjo kërkon garantimin e funksionimit të saj. U inaugurua telemjekësia, por kjo kërkon shfrytëzimin maksimal të saj dhe ne vetvete vetë shfrytëzimi i potencialeve të saj përbën një sfidë për mjekun kudo që ndodhet. Përgatitje janë bërë për të ndërmarrë procesin më të plotë të dixhitalizimit. 15 milion euro është projekti më kushtueshëm. Projekti i dixhitalizimit të sistemit shëndetësor është projekti më i kushtueshëm që ne kemi si qeveri edhe më i kushtueshëm se edhe vete sistemi tatimor, etj, por ne kemi vendosur dhe do të bëjmë dixhitalizimin më të plotë.
Prapë ne duhet të përshtatemi me një realitet që ndryshon fuqishëm. Unë shoh koston në një spital dy herë më të largët se sa në spitalin rajonal që është gjithsej 20 km në distancë afër nesh. Sot, Shqipëria ka një infrastrukturë krejtësisht tjetër, e cila mundëson një shërbim urgjence pakrahasimisht më të shpejtë, më të sigurtë se pak vite më parë.
Ndaj dhe përsëri duhet së bashku të ndalemi në mekanizmin financiar, në studimin e tij ,në kostifikimin, në konsolidimin e praktikave të bazuara mbi kostifikimin. Duhet të përgatitemi se së shpejti hyn në fuqi ligji i ri për sigurimet shëndetësore, shumë i mirë. Zbatimi i tij më serioz, por një gjë është e sigurtë, mekanizmin financiar ne duhet ta kemi mekanizëm tregu, përndryshe ne do të vazhdojmë të mbetemi me mekanizmin , i cili është faktuar katërcipërisht pa të ardhme, prandaj gjykoj se në këtë fazë që ka ardhur reforma, realisht po afrohet në fazën vendimtare. Është e domosdoshme që ne të kemi plan veprimi për të gjitha drejtimet e saj. Është e domosdoshme të përshpejtojmë proceset dhe procedurat, është e domosdoshme të shtrimë renk-imin e institucioneve tona shëndetësore dhe të dashur miq, të bëjmë gjithçka për një sistem shëndetësor jashtë korrupsionit. Nuk është më situata që ishte. Studime të besueshme të opinioneve faktojnë më shumë se përgjysmim, qartësisht më tepër se përgjysmim të ryshfetit. Tjetër gjë është opinioni, pasi ka një diskordancë të madhe mes perceptimit dhe realitetit, por ka mundësi që ne të arrimë të realizojmë transparencën në çdo veprim tonin burokratik në mënyrë që vetëm korrupsion të mos ketë. Do tu jap vetëm një shembull interesant. Një djalë i ri na prezantoi këtu, para pak ditësh, në këtë zyrë, një program i cili rregullonte bashkëveprimin e noterëve me zyrën e regjistrimit të pasurive. Natyrisht është një nga proceset më të rëndësishme në një vend. Mekanizmi i këtij programi ishte i tillë që për të shmangur korrupsionin, qytetari i parë nuk mund të parakalohej nga askush. Ky program, pa trajtuar personin e parë nuk shkonte tek i dyti, asnjëherë. Cdo lloj përpjekje që bëhej për të vazhduar me të dytin ishte e dështuar. Të parit detyroheshe ti ktheje përgjigje. Mua më shkoi mendja tek zbatimi i këtij mekanizmi tek operacionet, tek procedurat mjekësore, sepse kjo na zgjidh një problem të debatueshëm, ndaj dhe në të gjithë përpjekjen tonë, ne duhet të bëjmë gjithçka për të qenë transparent në çdo veprim tonin.
Shqipëria sot arriti të ketë vdekshmëri foshnjore një shifrore, Shqipëria sot arriti të ketë vdekshmëri amtare në një nga nivelet më të ulëta, Shqipëria sot qëndron në krye të të gjithë vendeve ish komuniste për vdekshmërinë e të rriturve më të ulët. Ka një studim më konsumuesi, i cili ka studiuar vdekshmërinë nga viti 70 deri në 2010. Ne jemi afër portugezëve. Natyrisht vendet perëndimore e kanë më të ulët, vendet anëtare të BE, si Franca , Gjermania, etj e kanë më të ultin. Më të lartë e kanë vendet ish komuniste. Në grupin e vendeve ish komuniste Shqipëria ka më të ulëtin. Këto nuk ndodhin kurrë në një vend të prapambetur. Një komb i prapambetur do të paguajë çmimin e prapambetjes së tij , siç paguanim ne, ose do të paguajë çmimin e varfërisë së tij , ka një seri çmimesh për të paguar. E them këtë pavarësisht se rruga nuk është bulevard, por mundësitë janë shumë më të mëdha dhe ne kemi mundësi të zhvillojmë fuqishëm dhe në standardet më të mira çdo sektor, të investojmë në çdo degë dhe në çdo fushë, por ajo që është më kryesorja është të ruajmë eficencën. Ne jemi në fushën e mundësive reale ne shumë aspekte, por ne duhet të zgjidhim në mënyrë përfundimtare mekanizmin financiar, si mekanizëm eficent.
Duhet të shmangim gabimet që kanë bërë të tjerët në këtë mekanizëm dhe që nuk e lëvizin dot, duhet të mendojmë menjëherë për qëndrueshmërinë e tij sepse nuk ka patur dhe ndofta nuk ka më të mirë se sistemi gjerman , por përsëri ka një debat të madh lidhur me mekanizmin e financimit. Donin të ndryshonin, por nuk e ndryshonin dot sepse ata janë gjigand, të cilët e bëjnë të vështirë vendimmarrjen. Ndaj dhe ne i studiojmë të gjitha këto sot. Ne kemi një avantazh, ne jemi në ndërtim e sipër dhe kjo na jep ne mundësi të vendosim standardet më të mira , më fleksibël, më të qëndrueshme.
Dhe njeherë ju ftoj të ndalemi në problemet e kostifikimit, protokolleve, por edhe të problemeve të tjera të cilat ju i konsideroni të rëndësishme për tu dhënë përparësi.
08/04/2012