Prononcim i kryeministrit Berisha pas kthimit nga Strasburgu
Kryeministri Berisha u kthye sot pasdite në Tiranë, pas një qëndrimi një ditor në Strasburg, ku me ftesë të zotit Joseph Daul, Kryetar i Grupit të PPE në Parlamentin Evropian dhe të zotit Martin Schulz, Kryetar i Grupit të PSE në Parlamentin Evropian, mori pjesë në një darkë të shtruar për të dhe për Kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama.
Në aeroportin “Nënë Tereza”, të Rinasit, kryeministri Berisha bëri këto komente për mediat e pranishme:
“Patëm një darkë, në restorant “Krokodil” të Strasburgut. është një nga darkat më të shijshme. Unë jam një person që e dua shumë Strasburgun sepse është një qytet me histori frymëzuese. Nga ana tjetër, darka sigurisht nuk ishte një darkë ahengu, por ishte një darkë pune.
Mund tu them se tek të pranishmit spikati qartësisht vendosmëria për respektimin e plotë të Kushtetutës, kuadrit ligjor, vendimeve të gjykatave, në zgjidhjen e këtij problemi. Pra ishte një sintoni dhe me qëndrimet e mëparshme, si të Komitetit Presidencial dhe të Byrosë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ashtu dhe deklaratat e përsëritura të Brukselit. Ndaj dhe unë dua tu përshëndes që keni dalë në aeroport, për të marrë përshtypjen e një darke të këndshme.
Pyetjes lidhur me kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama, Kryeministri Berisha iu përgjigj:
“Gjithçka lidhet me personin e tij, ju lutem priteni kur të kthehet dhe pyeteni atë. E tëra çka mund tu them për të është se, dëgjova një zë, që se nga erdhi, as vetë nuk e mora vesh që i tha: këtë darkë të takon ta paguash ti.”
21/05/2010