Prononcimi i Kryeministrit Berisha pas takimit me krerët e partive politike

Një ditë para raundit të katërt për zgjedhjen e presidentit të Republikës, Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, i shoqëruar nga kryetari i Grupit Parlamentar dhe Nënkryetari i PD-së zoti Astrit Patozi, u takua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit me kryetarin e Partisë Socialiste zotin Edi Rama, i cili shoqërohej nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së zoti Gramoz Ruci, kreun e Partisë LSI, zotin Ilir Meta, si dhe Kryetarin e Partisë PDIU zotin Shpëtim Idrizi.
Pas përfundimit të takimit kryeministri Berisha dha këtë prononcim për mediat e pranishme:
Një takim i zgjatur, në të cilin palët diskutuan hapur, mazhoranca bëri një përpjekje të madhe që të afrojë përsëri me opozitë. Pikërisht për këtë qëllim ne përzgjodhëm kandidatura të njohura për reputacionin e tyre në fushat përkatëse, ministra, të cilët ose kanë punuar në kohëra të ndryshme me të dy krahët, ose kanë vlerësimin e të dy krahëve për punën e tyre. Përzgjodhëm e personalitete të shquara të fushave të tyre, por megjithë shkëmbimin e hapur të mendimeve, nuk u arrit në një kandidaturë konsensuale me opozitën. Ndërkohë mazhoranca vendosi që nesër të paraqesë për votim në Parlament një personalitet të shquar të shoqërisë civile dhe publicistikës shqiptare, drejtuesin e Institutit të Studimeve Bashkohore, institut ky që është dhe hartuesi i të gjitha ligjeve të reformave ekonomike, veçanërisht ekonomike gjatë së paku 12 viteve të fundit.
Artan Hoxha në drejtim të këtij Instituti, në bashkëpunim me agjensitë prestigjioze ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucionet më serioze ndërkombëtare, ka dhënë, sëbashku me stafin e tij një kontribut thelbësor në tërë zinxhirin e reformave të mëdha të realizuara gjatë dekadës së fundit. Ka një dhunti të çmuar në publicistikë, është padiskutim një nga opinionistët më të kuotuar në fushën e opinionistëve. Dua të theksoj se kjo përzgjedhje ka ardhur jo nga eksponentë të forcave politike të mazhorancës, është një përzgjedhje e standardeve më të mira të mundshme në fushën përkatëse. Dua të theksoj një moment. Me kandidaturën e z. Xhezair Zaganjori ne vendosëm një standard, të cilin ju dhe opinioni publik e vlerësoi shumë dhe konstatoi përpjekjen tonë të madhe për një proces më seriozin të mundshëm dhe konstatoi gjithashtu se mazhoranca me ndershmëri bëri hapa të fuqishëm drejt opozitës, tejkaloi veten dhe deklaratat e mëparshme, por z .Zaganjori i cili sintezonte në një, diplomatin, gjykatësin, akademikun. Duke mos patur konsensusin e opozitës u tërhoq, dha dorëheqjen. Ne ishim të obliguar para qytetarëve shqiptarë që nga fusha jo partiake të përzgjidhnin personalitete më të shquara me inspiko. Unë jam i bindur se kjo përzgjedhje është bërë, jam i bindur se Shqipëria dhe shqiptarët do të përfaqësohen me dinjitet nga kreu i ardhshëm i shtetit të tyre.
Pyetje: Z. Berisha ju thatë se në asnjë rast nuk keni propozuar emrin e kreut të shtetit në këtë rast e keni bërë?
Kryeministri Berisha: Unë mund tu them se propozimet kanë qenë të lirshme, por edhe kandidaturat e mëparshme jo partiake kanë qenë ose propozimi i imi ose mbështetja ime e plotë e pa rezerva. Kështu që nuk me preokuponte çështja e përparësisë së atij që propozon, por cilësitë, virtytet, kompetencat dhe integriteti i kandidatit, kjo ka qenë preokupimi më kryesor. E theksoj këtu nëse kandidati i parë z. Zaganjori nuk do i ishte ai, por një partiak, ju garantoj se dorëheqje nuk do të kishim patur, sepse kanë tjetër qëndrim partiakët në kuptimin e impresioneve. Ky qëndrim është bërë që të afrohemi me opozitën të bëjmë një afrim të mundshëm, natyrisht duke ruajtur integritetin dhe kompetencat dhe aftësitë e kandidatit.
Pyetje: Opozita është e shqetësuar se për shkak të mungesës së konsensusit edhe këtë vit nuk do të merret statusi i vendit kandidat?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se vendi dhe kryetari i opozitës e ka të qartë se këtu po zbatohet Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila 5 vjet më parë nuk bënte të mundur zgjedhjet siç e bën sot në dy raundet e fundit. Unë e mendoj se respektimi i Kushtetutës është detyrimi më madhor dhe është detyrimi që, kjo mazhorancë ka para çdo qytetari shqiptarë. Kushtetutshmëria është shtylla më kryesore ose ndër me kryesoret e një sistemi demokratik. Përsa iu përket përpjekjeve. A bëmë ne përpjekje te ndershme dhe të sinqerta për një kandidat?! Ata që kishin thënë se Zaganjori është një noter i Berishës duhet ti kërkojnë të falur atij, sepse besoj se faktoi se ai ishte një gjykatës i pavarur dhe që mori vendimet e tij në mënyrën më të pavarur. Pra ne faktuam se dolëm mbi interesat e ngushta partiake. Natyrisht në përpjekjen për të arritur konsensusin nuk besoj se do të kishte qoftë edhe një shqiptarë të vetëm, që të pranonte të zbrisnim poshtë edhe më poshtë, vetëm për të gjetur pikën minimale të ujdisë. Këtu nuk kemi të bëjmë më një post dosido, por me një post të rëndësishëm të përfaqësimit të çdo qytetari shqiptarë.
Pyetje: Z.Berisha kryetari i PS-së beson se ka kohë ende për reflektim dhe shpreson për negociatat që mund të behën para raundit të katërt?
Kryeministri Berisha: E vërteta është që në rastet e para të refuzuara, sepse nuk ka qenë vetëm z. Zaganjori, ka pasur dhe raste të tjera plotësisht të pamotivuar, por absolutisht dinjitoz dhe përfaqësues dinjitoz të këtij vendi. Në rast se nuk synojnë cilësitë më të larta të mundshme e kemi të vështirë që të zgjedhim personin e përshtatshëm.
11/06/2012