E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një takim me Zëvendës/kryeministrin e Izraelit, zotin Dan Meridor

Në ditën e dytë të vizitës në Izrael, Kryeministri Berisha pati një mëngjes pune me Zëvendës/ kryeministrin e Izraelit, zotin Dan Meridor.

Zoti Meridor i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen dhe kënaqësinë për takimin, pas vizitës së suksesshme që Zëvendës/kryeministri izraelit Meridor zhvilloi në muajin tetor, të vitit të kaluar, në Shqipëri. Ai e falenderoi Kryeministrin Berisha për qëndrimin e qartë të Shqipërisë në lidhje me problemet e Lindjes së Mesme, veçanërisht qëndrimin e Kryeministrit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Zoti Meridor nënvizoi rëndësinë e madhe jo vetëm politike, por edhe ekonomike të vizitës së Kryeministrit Berisha.

Kryeministri Berisha pasi falenderoi Zëvendës/kryeministrin Meridor për mikpritjen, i cilësoi marrëdhëniet mes të dy vendeve si të shkëlqyera. Kryeministri Berisha theksoi se ky nivel i shkëlqyer marrëdhëniesh politike, duhet të shoqërohet me një forcim të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri vlerësoi nivelin e lartë të zhvillimit teknologjik izraelit dhe ftoi investitorët izraelitë që të përfitojnë nga potencialet që ofron Shqipëria.

Në takim u bisedua mbi zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe ndikimet e tyre mbi paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Kryeministri Berisha riafirmoi qëndrimin e qeverisë shqiptare në favor të zgjidhjes së çështjes palestineze, nëpërmjet dialogut të drejtpërdrejtë dhe duke garantuar siguri e paqe afatgjate për të dy vendet. Ai çmoi gjithashtu se Pranvera Arabe hap mundësi të reja për vendosjen e sistemeve demokratike. Kryeministri u shpreh se vetëm sistemet demokratike do sjellin stabilitet në rajon dhe se organizata shumëpalëshe si Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja, si dhe institucionet e tyre mund të japin kontribut të vyer në këtë drejtim.

Në përfundim, Kryeministri Berisha dhe Zëvendës/kryeministri Meridor shprehen besimin se vizitat reciproke kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe nevojën për inkurajim dhe mbështetje të investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike. 


21/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›