Propozimi i Cooper, zgjidhje afatgjate

Plani për menaxhimin e integruar të kufijve të Kosovës me Serbinë, i dalë së fundi nga ndërmjetësi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, vlerësohet të jetë vetëm dëshirë e britanikut. Së paku kështu shprehet kryetari i Komisionit Parlamentar për çështje të brendshme dhe siguri në Kuvendin e Kosovës, Ahmet Isufi .
Duke iu referuar informacioneve që deri më tani nuk janë të konfirmuara zyrtarisht as nga Prishtina as nga Beogradi, që Cooper ka ofruar një propozim për menaxhim të integruar të kufijve, Ahmeti thotë se për momentin një gjë e tillë nuk mund të arrihet.
“Ky menaxhim i kufijve po bëhet me Shqipërinë, me Maqedoninë e Malin e Zi, por me Serbinë ekzistojnë raporte të tjera dhe kjo mund të jetë një dëshirë e Cooper-it, por me zhvillimet që kanë ndodhur nuk ka ndonjë përparim në këtë drejtim. Janë marrëveshjet të cilat e dini se janë arritur dhe nuk po zbatohen”, ka thënë Isufi.
Propozimi i Cooper sipas burimeve të gazetës, është ofruar rreth dy javë më parë, ndërsa serbët e strukturave paralele, duke iu referuar këtij propozimi kanë paralajmëruar se do të padisin Borko Stefanoviçin për tradhti dhe shkelje të kushtetutës serbe.
Propozimi i Cooper, sipas burimeve, është i bazuar në dokumentin e “Udhërrëfyesi për menaxhimin e integruar të kufijve në Ballkanin”, të punuar nga Komisioni Evropian më 2007.
“Propozimi synon që me një vendim të vetëm të zgjidhet kontesti rreth mënyrës dhe procedurave të kontrollit në vendkalimet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do të thotë se marrëveshja do të vlejë jo vetëm për kalimet në Bërnjak dhe Jarinje, por edhe për ato në Merdar, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë”, ka sqaruar një zyrtar ndërkombëtar.
Propozimi, sipas këtij burimi, parashikon që pikat e reja të kontrollit, që do të financoheshin nga BE, do të vendosen mes zonës neutrale dhe aty do të punonin bashkërisht policët e Kosovës, Serbisë dhe të EULEX-it. Vendkalimet do të mbikëqyreshin nga EULEX-i, i cili njëherësh do të ishte edhe garantues i zbatimit të marrëveshjes.
“Në këtë propozim të Cooper, pala kosovare e sheh zgjidhjen e kontestit të përgjithshëm me Serbinë për vendkalimet kufitare, dhe me këtë përmbush një kërkesë të rëndësishme të BE-së rreth bashkëpunimit ndërkufitar, ndërsa pala serbe përfiton një zgjidhje jo-ideale, siç e thotë edhe vetë Stefanoviç, por që e afron Serbinë me BE-në dhe marrjen e statusit të vendit kandidat e ndoshta edhe marrjen e datës për hapjen e bisedimeve”, ka shtuar zyrtari ndërkombëtar.
Nga po të njëjtat burime,“Zëri” mëson se informacioni për këtë marrëveshje të mundshme u është përcjellë kryetarëve ilegalë të komunave në veri nga njerëz brenda qeverisë serbe, përgjithësisht nga kabineti i ministrit të Jashtëm, Jeremiç, që janë kundër negociatorit Stefanoviç, në mënyrë që të dëmtojnë kredibilitetin e tij.
“Të indinjuar nga mundësia që problemi i vendkalimeve të zgjidhet me një marrëveshje të favorshme për të dyja palët, e sidomos për atë kosovare, kryetarët ilegalë janë të gatshëm që të përdorin çdo formë të mundshme që ta pengojnë jetësimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ky zyrtar.
Serbët në këtë pjesë të Kosovës, sipas të njëjtave burime, janë të dirigjuar nga partitë opozitare në Serbi dhe se atyre u intereson vazhdimi i gjendjes së tensionit dhe konfliktit.