Propozimi i Kinës/ SHBA: Një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, i jep Moskës kohë të nisë një ofensivë të re

Shtëpia e Bardhë po përpiqet të parandalojë përpjekjet e Kinës për t’i ofruar ndihmë Rusisë në luftën e saj ndaj Ukrainës. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha propozimi i Kinës për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës do të ishte thjesht një mënyrë për Moskën që të rigrupohet përpara se të nisë një tjetër ofensivë
“Një armëpushim do të thotë ratifikim i pushtimit rus. Rusia do të ishte e lirë të përdorte një armëpushim vetëm për të forcuar më tej pozicionet e saj në Ukrainë për të rindërtuar, riparuar dhe rifreskuar forcat e tyre në mënyrë që ata të mund të rifillojnë sulmet ndaj Ukrainës”, tha Kirby.
Kina ka kërkuar të paraqitet si një ndërmjetës neutral i paqes për luftën në Ukrainë, duke përfshirë publikimin e një letre që bën thirrje për një zgjidhje politike, por zyrtarët amerikanë i kanë parë propozimet e tilla me skepticizëm të thellë, transmeton CNN.
“Ne nuk besojmë se ky është një hap drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Kirby.
Ndërkohë, SHBA-ja mbetet e shqetësuar se Kina mund t’i ofrojë Rusisë ndihmë ushtarake, por nuk ka parë ndonjë tregues se është marrë një vendim i tillë
/rtsh.al/