Propozimi i PD-së për ngritjen e Komisionit të së Vërtetës

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Partia Demokratike propozon ngritjen e Komisionit të së Vërtetës, i cili do të hetojë, sipas PD-së, zyrtarët e lartë dhe bashkëpunimin e tyre me krimin.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Partia Demokratike, duke sjellë në vëmendje ngjarjen në Shkodër, me 4 viktima, bën thirrje për drejtësi si dhe ripërsërit sërish propozimin për komision parlamentar për lidhjet qeveri-krim.
“Partia Demokratike qëndron fort pas propozimit për Komisionin Parlamentar të së Vërtetës. Vetëm duke zbuluar dhe dënuar lidhjet qeveri-polici-drejtësi-krim, rrethi i vdekjes dhe terrorit do të ndalet. Të pafajshmit e Shkodrës, dhe viktima të tjera atentatesh në të gjithë vendin, duhen rehabilituar, më së pari duke zbuluar dhe dënuar fajtorët. Së dyti, duke siguruar se nuk ka amnisti për ata që ua kanë shitur partnerëve në krim rendin dhe sigurinë publike, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin”, njofton PD.
Në përmbyllje të reagimit të saj PD, thekson se pa një qeveri teknike asnjanëse, “kjo amnisti nuk do të ndalet, sepse do të vazhdojë përdorimi i bandave në zgjedhje dhe më pas dëmshpërblimi i tyre me territore dhe liri lëvizje e veprimi”.
/r.e/a.f/