E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimi për Kontrollin e Shtetit tregon papërgjegjshmërinë e presidentit në ushtrimin e kompetencave

30-10-2011 / Nga Fahri Balliu

Bamir Topi nuk po lë rast pa provuar se po e çon mandatin e tij presidencial, duke treguar një papërgjegjshmëri të plotë në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese. Rasti i propozimit të tij të fundit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit është një përmbledhje e shpërdorimit të funksionit më të lartë shtetëror për interesat më të vogla personale të njeriut Bamir Topi. Duke e shndërruar presidencën në një çerdhe ku gëlonin veç miqtë e njohjet e vjetra të tij, presidenti i republikës dha provën e fortë se për të s’kanë rëndësi as meritokracia e as forcimi i institucioneve. Bashkëshortja e kandidatit për të marrë kreun e KLSH-së prej disa vitesh është këshilltarja për Sigurinë e Bamir Topit. Pra, pa i hyrë meritokracisë, është e qartë përzgjedhja personale dhe e logjikës së tarafit, që e ka shtyrë Bamir Topin në përzgjedhjen e tij. Është e njëjta sjellje e mendësi e vjetër që solli Kreshnik Spahiun në KLD si mëkëmbës të presidentit dhe e katandisën drejtësinë në atë derexhe, sa Strasburgu s’përdor më lojra fjalësh, por e thotë troç se lëvizjet e gjyqtarëve ishin shndërruar në një bursë, që po sillnin fitime për autoritetet që e kanë kompetencë këtë lëvizje.

Kjo papërgjegjshmëri në ushtrimin e kompetencave kushtetuese ka qenë deri para do kohësh veç në përmasën personale të fitimit apo të miklimit që kishte njeriu-president në ushtrimin e detyrës. 

Por prej disa muajsh, më saktë që pas dështimit të grushtit të shtetit me 21 janar, papërgjegjshmërisë i është shtuar edhe paciptësia e përdorimit të institucionit të presidencës dhe nomenklaturës që ky funksion prodhon për partinë personale, me frymëzim të majtë që ai po përdor. Sërish aradha e gjyqtarëve, prokurorëve dhe sekserëve të të gjitha niveleve, që më herët ishin përdorur për “lëvizjet e gjyqtarëve”, tani janë shpërndarë në terren për të ngritur celulat e para të partisë së Bamir Topit. Por rasti i fundit është një shembull flagrant i përdorimit të skajshëm të kompetencës kushtetuese, për interesa personale, teksa propozohet për në krye të KLSH-së, një njeri i këtij entorage-i, që prej kohësh po e ndihmon Bamir Topin në projektin e tij mëngjërash. Por tashmë, emërimi s’është veç shpërblim për punën e tij, por edhe vendosja e një pikete për ta shndërruar Kontrollin e Lartë të Shtetit në nja avant-post për luftën e tij të ardhshme politike. Imagjinoni përgjegjshmërinë shtetërore të kryetarit të shtetit, i cili në përfundim të mandatit të tij mendon veç si ta përdorë KLSH-në për të mbetur në politikë edhe pas përfundimit të mandatit.  

Propozimi shoqërohet me një sërë shkeljesh të tjera të procedurës së përzgjedhjes dhe mund të përkufizohet veç si një provokacion i dyfishtë, në radhë të parë për pozitën, e më pas edhe për opozitën. Provokacioni do të marrë nga mazhoranca përgjigjen që meriton një provokacion. Kuptohet se prej rrëzimit të dekretit, Bamir Topi s’ka për të nxjerrë asnjë mësim, pasi tashmë ka kristalizuar një histori të papërgjegjshmërisë në ushtrimin e kompetencave kushtetuese, por dacka parlamentare do të jetë edhe një antipastë e sjelljes së elektoratit ndaj një projekti që po lind vjedhurazi, si një pjellë e paligjshme, për të mbajtur në këmbë papërgjegjshmërinë e një politikani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›