Propozimi për hapësirën shqiptare unike të valëve mirëpritet në Kosovë. Drejtues të RTK takojnë Kryeministrin Berisha
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Mentor Shala dhe Drejtorin e Televizionit Bekim Hasani, të cilët ndodhen në Shqipëri, pas propozimit të Kryeministrit Berisha për unifikimin e hapësirës së valëve midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Zoti Shla, duke e falënderuar për pritjen e përzemërt, i tha Kryeministrit se propozimi i tij për një hapësirë shqiptare unike të valëve është mirëpritur jo vetëm nga komuniteti mediatik dhe ka gjetur një mbështetje të gjerë në Kosovë.
Kryeministri Berisha i përgëzoi për vullnetin e dëshmuar për të vënë në lëvizje unifikimin e hapësirës unike të valëve, ndërsa theksoi se ky është një hap i domosdoshëm, pjesë e një procesi të gjerë, në mënyrë që kombi të ndjehet një.
Duke shtjelluar këtë projekt, Kryeministri tha se realizimi i tij është plotësisht i mundshëm dhe se do t’i kërkojë RTSH-së mundësinë e vendosjes së repetitorëve të RTK-së në pikat e transmetimit të televizionit publik shqiptar në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa ftoi edhe të gjitha mediat e tjera në Kosovë, në rast se dëshirojnë, të shtrijnë transmetimet e tyre në Shqipëri.
Zoti Shala tha se RTK ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm me TVSH-në dhe mbi këtë bazë do të punohet për realizimin e këtij propozimi, në mënyrë që t’i ofrojmë audiencave në Kosovë e Shqipëri, theksoi ai, programe të larmishme e veçanërisht t’i përcjellim aktualitetin dhe zhvillimet si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.
Në një prononcim pas takimit, Kryeministri Berisha u shpreh:
Kryeministri Berisha: Një takim i shkëlqyer me drejtuesit kryesorë të RTK-së, të cilët i falënderova me shumë përzemërsi për gatishmërinë dhe vendosmërinë e tyre pre të shndërruar sa më shpejt në realitet projektin e hapësirës unike mediatike kombëtare. Ata kanë zhvilluar bisedime të frytshme me Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe unë i garantoj se qeveria është e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme që ky projekt të shndërrohet sa më shpejt në realitet. Është një hap në një proces universal të qindra e mijëra proceseve të tjera të domosdoshme për të bërë realitet bashkimin njëri me tjetrin, bashkimin kombëtar, bashkimin me Europën. Pra, një shekull i humbur për faktorë jo shqiptarë, ndaj duhet që këto pengesa të shkrihen dhe arkivohen në histori.
Zoti Kryeministër ja pasur edhe zëra skeptikë për idenë tuaj, si do t’i përgjigjeshit?
Kryeministri Berisha: Për të realizuar një gjë, hapi i parë e më i rëndësishëm është t’i besosh asaj dhe unë i besoj më shumë se çdo gjëje tjetër pas Zotit, procesit të bashkimit të kombit shqiptar dhe jam i vendosur e i bindur se çdo ditë shqiptarët do të punojnë kudo që janë. Ky është një proces më i gjerë. Ne jemi një komb që ka më shumë se gjysmën jashtë trojeve etnike, mund të them se ky është vetëm fillimi i një procesi, i cili do të çojë drejt bashkimit të shqiptarëve rreth idealit të tyre kombëtar europian.
.
10/01/2013