Propozimi, të privatizohet farmacia e spitalit
Urdhri i fundit i ministrit të Shëndetësisë, për rastet e mungesës së medikamentit në spital po shqyrtohet me përparësi nga drejtuesit e spitalit të Kukësit.
Menjëherë pas publikimit të urdhrit të ministrit, drejtori i spitalit civil të Kukësit, Jemin Ferati, ka mbledhur shefat e pavijoneve dhe mjekët për t’u komunikuar masat e marra.
“Asnjë recetë për farmacitë e jashtme për medikamente që ne i disponojmë dhe në rastet kur këto mungojnë, do të merret firma e shefit të pavijonit”, ka sqaruar Ferati, duke paralajmëruar për masa administrative deri në largim nga puna, për këdo që i bën bisht urdhrit të ministrit.
Ferati u ka kërkuar mjekëve që të hartojnë një pasqyrë reale të nevojave të spitalit për medikamente, pasi farmacia e brendshme trashëgon një mungesë të theksuar ilaçesh. Ai ka synuar që të paktën nga lista e barnave të domosdoshme të mos mungojë asnjëra.
Mjekun infeksionit, Mark Nufi, thotë se tendenca është pozitive, por duhen marrë përtej një rutine të zakonshme.
“Ky urdhër mund të shmangë korrupsionin dhe unë e shoh si një gjë tepër pozitive. E kemi diskutuar mes nesh se mund të bëjmë diçka në këtë drejtim, por farmacia, nga ana e vet, duhet të vlerësohet seriozisht”, tha ai, duke shtuar se për sëmundje të caktuara, në vend të amicilinës mund të jepej penicilina me efekt të barasvlershëm, ndërsa kjo e fundit gjendet në farmacinë e spitalit dhe tjetra nuk gjendet. Një mjek tjetër i këtij spitali tha se besonte pjesërisht në urdhrin e përmendur, pasi këtu nuk mund të kanalizohej tërësisht mjeku i familjes. “Mjeku i familjes lëshon receta sa të jetë e nevojshme dhe asnjë urdhër nuk e kufizon dot”, tha mjeku.
Farmacitë, nga ana e tyre, nuk e mirëpresin këtë urdhër, ndonëse nuk besojnë te funksionimi korrekt i farmacive të spitalit. Një farmacist në qytet tha se besonte që vetë spitali nuk është i interesuar për një gjë të tillë. “Ata nuk sigurojnë dot një vigon për serum dhe le më ilaçe të rëndësishme, por ashtu bëjnë sikur bëjnë detyrën”, tha farmacisti, duke shtuar se “më mirë do të ishte të mbyllej farmacia e shtetit dhe t’i lihej krejtësisht privatit në dorë”.
“A do të luftosh korrupsionin, privatizoje farmacinë brenda spitalit dhe je në rregull”, tha farmacisti. Një farmacist tjetër e shihte urdhrin si një masë kundër farmacive private dhe thjesht si të tillë. “Ka dashur të na fusë vështirësi, por do bëjmë si do bëjmë” sqaroi farmacisti.
#