Prostituta dhe moralistë!
Kohët e fundit në Shqipërinë e mbijetesës të përditshme disa organizata jo-qeveritare shtruan si propozim në komisionin parlamentar të ligjeve idenë e legalizimit të prostitucionit, ide e mbështetur dhe nga individë të shoqërisë publike. Po ashtu kjo ide, ndoshta më e pazakonshmja, ka shkaktuar konflikte dhe kundërshti në të përditshmet e shkruara. Pozicionimet, siç na është shndërruar në traditën e demokracisë tranzicionale, kane zënë të shndërrohen në ndasi dhe shumëkush do ta kundërshtojë këtë nismë nisur nga norma morale të pashkelshme; ka dhe të tjerë që do ta kundërshtojnë edhe më sistematikisht, nisur nga argumenti se shteti nuk mund ta koordinojë dot këtë sipërmarrje dhe krejt çka do përfundojë në një degjenerim a kriminalizim shoqëror. Si Qenie Politike dhe racionale duhet të nisim e të mendojmë mbi këto propozime që mund të ndryshojnë dhe kanë të bëjnë me komunitetin tonë të përbashkët, ndaj kritikën do e zhvendosim fillimisht te moralistët që janë shndërruar dhe në kundërshtues të emancipimit shoqëror, me anë të barrikadave të primitivizmit historik. Moralistë, nëse prostitucionin e konsideroni si kancer, si imoralitet, si antivlerë e një komuniteti të shëndetshëm, ndaj jush bie pashmangshëm një pyetje edhe më e athët : A është më e moralshme shitja e bijave në skutat më të humbura të Serbisë, me të moshuar që bijat na i shohin në këndvështrimin e një shtaze ku duhen ngjizur medoemos trashëgimtarët e testamentit? A është më e ndershme ta shesësh a ta shtiesh bijën në katalogët e disa individëve të paskrupullt në shkëmbim të heqjes qafe të një barre a një sasie parash? Sështë! Është edhe më imorale dhe i shkel dhunshëm pragjet e racionalitetit njerëzor, sepse po shet një krijesë njerëzore si shtazë a skllave, pa e marrë në konsideratë mendimin e saj, duke e trajtuar atë si një objekt a instrumentum vocale dhe jo si subjekt të vetëdijshëm. Dhe ju moralistë e keni katandisur në këtë gjendje femrën shqiptare, normat morale që ndrydhin karakterin e saj, e moshojnë, dhe më në fund e shisni si send. Si një barrë ku dhe bija tëhuajësohet dhe hesht sepse e sheh veten si një barrë. E determinuar mekanikisht në një destinacion të përcaktuar nga vullnete moralistësh që nën dukje janë edhe më të pandershëm sa ndershmëria që shesin.
Shihet si e nevojshme që zvogëlimit sistemik të popullsisë dhe plakjes së saj ti kundërpërgjigjemi me sjelljen e femrave zezake në Serbi që të shtojmë racën, – tha një ministër serb kohë më parë, me argumentin se afrikanet janë shumë pjellore dhe mund të shiten lehtë. Dhe ashtu drejtpërsëdrejti komunikatës së tij iu kundërpërgjigj Radomiri, një vejush serb nga të gjashtëdhjetat në një hulumtim televiziv mbi këtë fenomen, në kohën kur zgjidhte mbi katalog: Janë pjellore, të moralshme dhe të shëndetshme për një trashëgimtar. Pse e ndërmorët këtë zgjidhje? Se ska femra në fshat! Të gjitha ikën në Beograd,në kryeqytet,për një jetë edhe më të mire. Pra femra serbe po emancipohet, po del nga mediokriteti provincial ndërkohë shqiptarja shitet në provincë, si lopë që fshatari e konsideron të shëndetshme dhe që do i sjellë viça edhe më të shëndetshëm. Por absurdi ska të sosur. Nacionalistët serbë ulërasin të shqetësuar për zaptim shqiptar, po ashtu dhe shqiptarët, në qejf, ndërkohë sekseret sillen si kozmopolitë, si dishepujt të dashurisë. Pra,moralist i dashur, ku është nderi këtu? Ndaj mos u ndjej keq kur të them se një prostitutë është edhe më e moralshme se bija juaj. Jo bija si qenie autonome me të drejta dhe sistem vlerash racionale, por si krijesë zakonore, morale, e detyruar që të shfrytëzohet nga ju që fshiheni pas saj si tjerrës të shfytyrimit femëror. u moralistët jeni prostitutat e vërteta që pandershmërinë ua huazoni krijesave tuaja. Një prostitutë është më e ndershme se shitet disa minuta për bukë, bukën që ia mohon shteti dhe shteti që e përndjek; më e denjë, se e kundërshton dhunimin fizik, se flet; më e drejtë, se nuk ka nevojë për maska dhe ashtu siç është mundohet ta ndryshojë fatin e saj. Ndërsa bija shitet përgjithmonë si barrë, kalon nga njëri shfrytëzim mbi tjetrin, e heshtur, dhe nuk mundet të ndryshojë destinacionin: të shitet. Patriarkalizmi si institucion moral po e shkatërron familjen si institucionin më të rëndësishëm shoqëror, dhe determinizimi i saj ne kufinj absurdë po sjell inçeste mes babait dhe bijës; përdhunime, dhunë skizofrenike mbi gruan, vetëvrasje, dhe ekzekutime të njëpasnjëshme.
Post Scriptum: Ju mund të thoni se këta norma morale janë përmbledhje e urtësisë ndër shekuj të shqiptarëve për ta legjitimuar prizmën e kundërshtimit. Por jo zotërinj, sjanë shqiptare. Femrat na kanë udhëhequr dhe ishin organizatoret e rezistancave kundrejt perandorive, organizueset e një shoqërie demokratike dhe emancipimi unik të atëkohshëm. Dhe kishte prostitucion, publik madje. Ndërkohë, kundërshtuesit shtetarë që e kundërshtojnë këtë nismë si imorale, janë po ata që zhvillojnë prostitucionin në institucione shtetërore si meritokraci, dhe shembujt i kemi: Kazusi i mbërtheckave që szbërtheheshin dhe Shamikuqja e Kamzës. Po ashtu dhe prostitucionin oral dhe jo etik. Prostitucion ambasadash. Prostitucionin politik ku zhvirgjërohen katër milion shtetas. Dhe e kanë të legalizuar, Sovran dhe vendimmarrës madje, e kjo kundërshti fekset si dhunim i vetvetes shtetërore, si legalizim i evazionit fiskal, se prostitutat nuk e paguajnë TVSH-në 20%ëshe. Po e mbyll me thënien e Markezit de Sade, imoralit të krejt kohërave: Si do të arrihet të tregohet që një shtet imoral për nga detyrimet e tij, të ketë thelbësore që shtetasit të jenë të moralshëm? Unë them më shumë: është mirë që të mos jenë të tillë. Pa mëkat ska emancipim. Liri seksuale!
