Rasti për tu dukur properëndimor!
Kryeministri i Shqipërisë nxitoi dje para të gjithëve të lavdëronte marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Serbisë dhe Kosovës rreth statusit të përfaqësimit rajonal të Kosovës, i cili në thelb detyron palët që sa herë të zënë në gojë Kosovën të kenë një shënim poshtë faqes që i sqaron se Kosova është një shtet i krijuar sipas rezolutës 1244, e cila ka qenë pjesë e Serbisë. Kjo fusnotë, që nga serbishtja do të thotë shënim në fundfaqe, ka ngjallur debate të ashpra në Kosovë dhe frikë për një hap mbrapa në statusin e tyre drejt një shteti të pavarur ndërkombëtarisht të njohur. Edhe pse SHBA dhe BE i ka qetësuar se kjo është një manovër diplomatike që nuk e dëmton Kosovën, debati është i nxehtë dhe dyshimet janë të mëdha. Por ky është një debat në Kosovë dhe për një moment duhet ti lëmë ata të shprehin dilemat dhe mëdyshjet e tyre për procesin.
Nxitimi i Sali Berishës për të përshëndetur këtë marrëveshje nuk ka të bëjë fare me faktin se ajo është e mirë apo e keqe për Kosovën. Kosova është një shtet në krijim që nuk bën dot pa aleancën me Perëndimin dhe si e tillë ajo është e dënuar të jetë e dëgjueshme ndaj disa vendimeve të tij. Është kjo arsyeja që Sali Berisha, i futur në një spirale krize me SHBA dhe Bashkimin Evropian, po përpiqet të kapë ndonjë dru që sjell lumi që të duket se është aleat i Perëndimit. Pasi ka gjymtuar demokracinë në Shqipëri, pasi ka futur në krizë të thellë dhe të pashpresë shtetin ligjor, pasi ka shkatërruar sistemin e drejtësisë me kapjen e gjykatave, pasi ka vjedhur zgjedhjet, ka shkatërruar lirinë e shtypit, në fund ka vrarë dhe katër qytetarë të pafajshëm dhe po hedh poshtë hetimet e kryesuara nga SHBA për të vendosur vetë për ridënimin e viktimave dhe shpëtimin e agresorëve, pra pasi ka bërë gjithçka antiperëndimore në vend të tij, në vendin ku sundon dhe ku është përgjegjës, po nxiton të duket properëndimor për gjëra që ndodhin larg tij. Ai ka kohë, por sidomos muajt e fundit, që po përpiqet të tregojë se ka fuqi dhe monopol politik në Kosovë për të marrë mbështetje të Perëndimit dhe akoma më shumë po përpiqet ti çojë Perëndimit mesazh se nëse nuk e ngacmojnë në shtëpinë e vet, ai është gati që ndikimin që ka në Kosovë ta përdorë për paqen dhe stabilitetin.
Nxitimi i tij për të dalë dhe për të lavdëruar marrëveshjen Serbi- Kosovë ka vetëm këtë qëllim. Ai e shikon atë si një rast të artë për ti tërhequr vërejtje Perëndimit se në problemin më të nxehtë që ata kanë në rajon, pra Kosovën, Berisha është 100 për 100 në anën e tyre. Ai po vë në dispozicion të tyre atë që e quan kapital patriotik në Kosovë, dhe po përpiqet tu tregojë se është duke e qetësuar Kosovën si baba i madh nga Shqipëria vetëm që Perëndimi të mos ketë telashe atje. Kushti i tij i vetëm, i nënkuptuar, është të mos i bien më qafë për standardet në Shqipëri, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për shtet ligjor dhe mbi të gjitha të ndalet presioni i Perëndimit për të hetuar dhe gjykuar 21 janarin sipas ekspertizës së ardhur nga FBI.
Përpjekja e tij prej sharlatani për të shkëmbyer hallin e vet me hallin e Kosovës, është në të vërtetë fytyra e tij reale në raport me Kosovën, është arsyeja e përjetshme përse ai e përdor Kosovën në politikën shqiptare dhe atë perëndimore. Është mbi të gjitha thelbi i gjithë jetës së tij politike, që sa herë është në krizë, të shkëmbejë një çështje kombëtare me një çështje pushteti.
Marrëveshja Serbi- Kosovë është një zhvillim që ka dramatizuar skenën politike të Kosovës, edhe për faj të tyre, por edhe për faj të Shqipërisë. Nëse kredencialet demokratike të Shqipërisë do të ishin avancuar, nëse do të ishim tani si Kroacia apo vende të tjera të ngjashme që dolën nga komunizmi, si Bullgaria apo Rumania, Kosova nuk do ta kishte këtë problem dhe Serbia nuk do përkëdhelej me dhurata të tilla. Por është e tepërt ti kërkosh Berishës llogari për historinë. Ana e ligë e gjithë kësaj sjelljeje politike të tij është se dhe kur Kosova drithërohet nga një debat që fut në makth shumicën e shoqërisë, ky njeri mendon si ta përdorë për pushtetin e vet këtë hall. Dhe sapo gjen rastin ti tërheqë vëmendjen Perëndimit se është në anën e tyre në këtë rast, vrapon pa iu dridhur syri. Kjo nuk ta bëjë fare me faktin nëse duhet mbështetur ajo marrëveshje apo jo, por nëse ky duhet të duket që është me Perëndimin apo jo. Dhe fakti që të gjithë e dinë që është në krizë me Perëndimin, e bën të duket karagjoz në këtë turravrap.
Ka një javë që bën gjeste të tilla. Në fillim javë u vra një kapiten shqiptar në Afganistan pas një grindje banale me një polic afgan, dhe ky vrapoi të përmendë që u vra duke mbrojtur amerikanët, kurse realisht filloi festën me do çingije të PD-së dy orë pasi kishte mësuar vdekjen e tij. Kapiteni i ndjerë la një familje të varfër dhe thuajse të pashpresë, kryefjala e të cilëve janë borxhet, çka tregon dhe motivin real të shkuarjes së tij në atë mision, që janë arsye dhe standarde krejt të kundërta me ato që duhet të ketë një vend anëtar i NATO-s. Të njëjtën gjë po bën dhe me marrëveshjen Serbi- Kosovë. Sapo pikasi mbështetjen amerikane dhe evropiane për marrëveshjen, ky vrapon të bërtasë fitore, me shpresë se e dëgjojnë në Bruksel dhe në Uashington dhe thonë me vete, në atë mënyrën poshtëruese për shqiptarët, tia falim dhe këtë radhë, mirë është për shqiptarët. Është rasti të duket properëndimor për diçka që nuk i kërkohet atij, por të tjerëve.
