E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protagonistë dhe viktima të politikës

Suela Kovaçi/Studente në Drejtësi  

Të përkufizosh një term kaq universal me një fjalë ekuivalente fikse ngjan në fakt e pamundur. Shpesh herë fjalët e thjeshta tentojnë të përkufizojnë me mijëra dukuri universale për të treguar kështu formën dhe përmbajtjen në diversitetin e vetë kësaj fjale. Sa herë kemi kaluar tek dilema çdo të thotë politikë? A jemi gjetur si gjithmonë në shumicën e rasteve në një përgjigje definicion, duke menduar se ajo është ngjyrë partiake?

Mund të them se po... për të gjithë ne ajo është një spektër me kushedi me sa ngjyra, kushedi se sa fytyra, kushedi sesa personalitete që çuditërisht janë shpërndarë në trurin tonë si manuale të një lloj guide që e barazojmë me mbajtëse vlerash. Disa herë kemi pyetur veten se pse ndryshojmë kaq shpejt, pse i japim fytyrës tonë në situata sekondare, gjeste e mimika të ndryshme, e kemi kuptuar se po, kjo është politika, interesi yt mbi atë të përgjithshëm.

Detyrimisht vlera morale e kësaj fjale është mashtrimi, e praktikisht nuk kemi si të mos themi se të gjithë nuk jemi mashtruar të paktën një herë, për të mos thënë më shumë, nga ajo. De juro, çdo veprim politik, në mënyrën se si manifestohen veprimet e politikës janë gati absolute duke qenë se se i nënshtrohen dispozitave përkatëse, por duke hyrë më thellë në arteriet e saj del që, de facto, ajo është një pasqyrë që nuk e tregon kurrë fytyrën e saj, ngjan si një projeksion ku nuk arrin t’i bësh dot shëmbëllimin. Jo vetëm kaq... një pamje e turbullt dhe kaq neutrale sa politika , lë vend për polemikë, për dyshim, për një teoremë tashmë të pavërtetuar... sado për këtë të vërtetë të nisesh nga kundërta e saj.

Por me çfarë e krahasojmë politikën? Se di çfarë t’ju them...kam vënë buzën në gaz me mijëra herë , mbi mijëra prezumime ku në secilin version mbaj mend i kam bërë oponencë një konkluzioni të ndryshëm, kjo jo për faktin se s’rritemi çdo ditë, por mbi të gjitha për gjendjen faktike se ne ndodhemi brenda pak orëve me persona të ndryshëm qofshin këta politikanë realë apo irrealë. Kam kuptuar se politika nis nga pasioni e sikundër mund të them si fillim se ajo i ngjan dashurisë... 

Duke u rritur mes traditave, njeriu mëson me pak fjalë kufijtë e tij përcaktues tashmë, të monotonisë së tij të përditshme, të zhargonit fillestar prej një personi naiv, pse jo mësohet me atë çfarë ka arritur e me pak fjalë mund të them se kërkon më tepër. Por sa optik dhe të saktë jemi ne , se vorbulla e kësaj etjeje për sukses është të bërit politikë? Sigurisht me bindje relativisht absolute pranoj se për të arritur diçka duhet të bësh politikë të një lloj forme.

Vitet e mundimshme të tranzicionit e renditën Shqipërinë në një nga vendet me zhvillim të ulët integrues, regresi e mospatja akses e njerëzve për të marrë atë që u takon, i orientoi ata në kultura etnocentrike të ndryshme. pra filluan të përdorin këtë politikë edhe pse ishte edhe pse mund të ishte dështimi. 

E gjendur sot në majë të piramidës duke vështruar së largu pragmatistët ndër vite tentoj ta formësoj pa e prerë korpusin në të cilin studioj “Drejtësinë” e kuptoj kështu njëherësh se vështirësitë për të ngritur shumë shkallë na kanë bërë sot skllevër të politikës ku tani e krahasoj me gënjeshtrën.

Kuptova që kur fillova të perceptoj mbi “faktin” si nocion se politika nuk mbetet një gënjeshtër denigruese e vetë shtetit por akoma më keq ajo është “sëmundja e një mirazhi të pastër”. Kemi rënë kaq poshtë sa nuk po dua ta besoj. Domethënë ne e dimë se po gënjehemi e na pëlqen kjo gjë...

Po pse na pëlqen kjo politikë në akull, ç’janë këto norma që ia vendosim vetës, kur dimë se feedback-u i radhës nuk është privilegji. Ne mendojmë se çdo politikë e gënjeshtërt përballë nesh është privilegj për ne, por me një veprim të thjeshtë aritmetik ai mbetet thjesht një veprim konkludent ku i fituari është politikbërësi e humbësi padyshim ai që jep verdiktin.

Para shumë kohësh u njoha përmes tim eti mbi ngjarjet historike të kohës , më saktë u njoha me të ashtuquajturën rastësi historike pra me ngjarje të rastit ku tentova të zbuloj në hapësirë dimensionin e platformës politikë që sot secili sipas politikës së tij i qendron rigoroz dhe me fanatizëm botëkuptimit të tij unikal. Kemi marrë humbje kushedi se sa herë, jemi zhgënjyer deri aty ku ndoshta nuk e prisnim në shumë fusha; dhe fjala e fundit që kemi cituar ka qenë: “Humbje”.

Për ta korrigjuar më mirë do t’i ngjante “politikë”, e jo humbje, pasi humbja vjen kur t’i çdo ditë vendos të hash vetëm sheqer... Duhet të pranojmë se për t’i njohur kampet përballë nesh, personat përballë nesh na duhet për të ngrënë një thes me kripë. Kështu nuk i japim fund politikës së tyre, por të mos jesh viktimë e një politikbërje është një sukses i mundshëm në këtë sistemi ku kapitalizmi e ka kthyer njeriun objekt njëlloj si “sendi”. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›