E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protagonizëm pa konkurrencë!

Ti duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh ata, është sikur t’i thërrasësh në gosti dhe t’ua mbyllësh portën. E megjithatë ka ndodhur ndryshe portat janë hapur. Ka kohë që po thirren përmes programeve speciale të punësimit, të rinjtë e talentuar që përfundojnë studimet jashtë vendit, por nëse iu referohemi statistikave shumë pak prej tyre kthehen njëherë e mirë të punojnë e të kontribuojnë për vendin. Siç duket edhe këta të talentuar e kanë një huq, iu mungon protagonizmi, ose nuk e gjejnë dot atë në vendin amë. Të jesh sot protagonist duhet të sillesh ndryshe nga të tjerët dhe nëse nuk e bën dot, mbetesh në vendnumëro. Në njëfarë mënyre, cilësohesh i papërshtatshëm dhe ç’është e vërteta, pa qenë protagonist agresiv nuk ta hap askush rrugën. Ata që janë sot protagonistë mund të mos kenë shkollën e duhur, por kanë shfrytëzuar vendin dhe kohën, janë kapur pas mëngëve të njerëzve me ndikim, dinë të shajnë në publik kundërshtarin e tij dhe hera-herës shërbejnë pa kushte. Rishtazi, atyre iu bie lapsi për të shijuar kënaqësitë e pushtetit të figurës dhe zërit, edhe pse mund të kenë risqe para publikut (pavarësisht se ky i fundit pak përfillet).
***
Mes këtyre dilemave, ekselentët (të shkëlqyerit që nuk presin vetëm bursa) merren me një vetërenditje logjike brenda shoqërisë së lodhur dhe të zhgënjyer prej alternativave të (pa) mundshme. A ekziston hapësira për t’u bërë protagonist në Shqipëri pa u përzier me marifetet e të pushtetshmëve? Ky është një ankth personal brenda një mjedisi dhe publiku që favorizon kastën anarkike, e cila ka fituar një përvojë për të qenë përherë protagoniste. E thënë troç, kjo kastë di të shfaqet, edhe pa thënë e pa bërë asgjë të rëndësishme. Jo vetëm kaq, por ndonëse kanë bërë dhe bëjnë gabime pa fund, ata prapë janë të rëndësishëm, edhe duke vepruar me mendësinë e vjetër të kontrollimit të gjithçkaje, me synimin kyç, kapjen e pushtetit për të sunduar ata dhe jo që të sundojë ligji.
***
Problemi kyç i protagonizmit shqiptar është mungesa e konkurrencës, duke ndrydhur kësisoj një nga elementët më të qenësishëm dhe shprehës të demokracisë. Aftësia e protagonistëve aktualë është çoroditja e vëmendjes së publikut, duke u fokusuar kryekëput tek gjuha e fortë, tek një lloj konservatorizmi ku qëndrimi i ngurtë dhe i egër ezauron çdo mundësi për kompromis apo për zgjidhje të problemeve të qindra-mijëra shqiptarëve. Kështu, duke munguar konkurrenca, burimet njerëzore nuk vlerësohen përmes kritereve dhe rregullave. Kësisoj, antivlerat shiten kollaj për vlera, injoranca dhe harbutëria merren si shenja gjenialiteti, daljet mediatike janë “siguresë pushteti”.
***
Sigurisht, ky është protagonizëm i pamerituar dhe dëmsjellës, është shprehje e një lloj konsensusi të prapambetjes në “familjen” e madhe shqiptare të politikës, kulturës, shkencës, biznesit, medias, etj. Ndryshe nga pretendimet e familjes “së vogël” nga ku burojmë të gjithë, kjo “familje” e re protagonistësh, i mëshon më shumë formës sesa përmbajtjes. Këta protagonistë, në vend të ofrojnë frymën sensibilizuese, anën ideore, strategjinë për zgjidhjen reale të problemeve, iu kushtojnë rëndësi ngjyrave të spektaklit, sloganizmave, gjesteve, anës intonative dhe emocionale. Ata janë vënë në garë në një lloj shfaqjeje, ku secili ka përzgjedhur që më parë pjesën që i përshtatet më shumë dhe presin vlerësimin nga juria (protagonistët që duhet të ishin në vendin e tyre); çka nënkupton për ta, mbijetesën në treg.

Konkurrenca mund të luajë një rol të madh në transformimin e çdo gjëje në vendin tonë. S’është e drejtë që të pazotët të qeverisin njerëzit e zotë. Demokracia shqiptare, - ndonëse në dekadat e para të saj, - pa konkurrencë do të vdesë, ashtu sikurse thoshte Frederik Lorka për teatrin: “Një popull, pa teatër ka vdekur ose do të vdesë”. Deri tani nuk ka konkurrencë, ka vetëm monopole, pazare, mungesë transparence, prandaj nuk kemi një shoqëri të lirë. Ngritja dhe funksionimi i sistemit demokratik është në funksion të të drejtave të qytetarëve, ku një vend të rëndësishëm zë edhe konkurrenca e lirë dhe përzgjedhja e njerëzve të kualifikuar për të garantuar ritme të larta zhvillimi e progresi.
***
Protagonistët e vërtetë, por të munguar deri sot në realitetin tonë, duhet të jenë në ballë të promovimit të ideve e alternativave që garantojnë zhvillim të familjes dhe shoqërisë. Pra të atyre njerëzve që do të vendosin apo ndikojnë në jetën e zhvillimin tonë e që natyrshëm jo vetëm që duhet të jenë përfaqësuesit tanë, por edhe ekstrakti ynë më i mirë e kualitativ. Në dukje, portat e gostisë janë të hapura, por “dasmorët” nderojnë më shumë “shërbëtorët”.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›