E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, dhjetëra çadra para zyrës së Berishës

Për tre net, qindra protestues do të gdhijnë në qiell të hapur në kërkim të votës së humbur


TIRANË- Fëmijë të masakruar, shtëllunga tymi dhe flakë që përpinë një fshat të tërë, janë sekuencat filmike, që shfaqen në dy ekrane të mëdha të instaluar bash në krah të kryeministrisë.


Janë pikërisht këto dokumentarë që lidhen me skandalet më të mëdha të qeverisë Berisha si "Gërdeci" apo rruga "Durrës-Kukës", që shfaqen në sfond të arenës së protestës më të madhe të organizuar ndonjë herë në vend, që u kujton pjesëmarrësve çfarë ka ndodhur përgjatë katër viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike.


Organizatorët e mitingut maratonë në sheshin përballë kryeministrisë kanë menduar edhe detajin më të fundit. Jo vetëm shfaqja e filmave dokumentarë, por edhe përzgjedhja e muzikës është në funksion të simbolikës për t'iu kujtuar pjesëmarrësve, pse janë mbledhur aty.


Megjithatë, Esmeralda Shkjau duket se nuk ka shumë nevojë për simbolikën e përzgjedhur nga organizatorët. 23- vjeçarja nga Durrësi e di fort mirë çfarë ndodh në këtë vend.


Ajo do ta gdhijë së bashku me miqtë e saj në tre netët e protestës së organizuar nga Partia Socialiste. "Unë jam e bindur se kjo është rruga e vetme në mbrojtje të votës sime, sepse nëse ne nuk reagojmë sot, nesër është vështirë të flitet për demokracinë themelet e së cilës janë zgjedhjet e lira dhe jo të vjedhura", - shprehet Esmeralda.


Për hir të kësaj filozofie, Esmeralda është gati të sakrifikojë tre net të tëra në bulevardin kryesore të kryeqytetit me bindjen e plotë se vullneti i popullit do të sjellë një kompromis ndërmjet forcave politike në vend. Pothuajse këtë bindje kanë qindra protestues, që kanë vendosur që natën e sotme ta gdhijnë në bulevard.


Këtë e thotë edhe Bashkim Krokulli, 65 -vjeçari i ardhur nga qyteti i Lushnjës, i cili së bashku me 50 bashkëqytetarë të tij, ka zënë një ndër çadrat kryesore në shesh. Bashkimi të thotë se me gjithë moshën jo optimale do të qëndrojë në protestë, fundi i së cilës, sipas tij, do të sjellë fitoren e së majtës.


Për çdokënd që ka vendosur të gdhijë netët në sheshin përballë kryeministrisë, sakrifica konsiderohet sublime. Ndërsa, erën e ftohtë rreken ta pengojnë rreth 20 çadra të ngritura përballë kryeministrisë. Ndërkohë, 30 deputetë të majtë qëndrojnë të shpërndarë në çadrat e ngritura në sheshin e protestës para Kryeministrisë.


Edhe Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama së bashku me kryetarët e partive të majta e të djathta opozitare, e pret një natë e gjatë bashkëbisedimi me protestuesit. Mbrëmë duket se sfida ka nisur jo vetëm për ata që do të gdhijnë netët e ftohta, por edhe për qeverinë që deri më tani mbrojtje të vetme ka një kordon të policisë, që do të rrethojë kryeministrinë, për tre ditë e net rresht.


Çfarë ndodhi gjatë natës në protestën e opozitës për hapjen e kutive të votimit:

Në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" u ngritën çadra për protestuesit.
U ngritën gjithashtu çadra edhe për mediat, ku gazetarët mundën të komunikonin direkt zhvillimin e protestës.
30 deputetë të majtë qëndruan mbrëmë në çadrat e ngritura në sheshin para Kryeministrisë, ndërsa 30 të tjerë do të qëndrojnë sonte në mbrëmje.
Qytetarë të ndryshëm gjatë natës kanë mundur të flasin me mikrofon dhe janë shfaqur në dy ekranet e mëdhenj, që qëndronin në krah të podiumit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me kryetarët e partive të majta e të djathta opozitare si dhe deputetët socialistë kanë zhvilluar gjatë natës bashkëbisedime me protestuesit.
Në dy monitorët janë shfaqur një sërë dokumentarësh që kanë pasqyruar procesin zgjedhor në vendin tonë, duke i krahasuar me zgjedhjet model në vende të tjera të zhvilluara si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një dokumentar tjetër është shfaqur për aferat e qeverisë Berisha, që nga Gërdeci, rruga Durrës-Kukës, konflikti për pronat në Orikum etj.
Nata e parë ishte caktuar për protestuesit e ardhur nga rrethet, ndërsa nata e dytë që është sonte, është për protestuesit nga kryeqyteti.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›