E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e PS, Rama: Të vendosim forcën e ligjit

"Sot më shumë se kurrë duam të tregojmë që e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Nga cënimi i zgjedhjeve cënohet çdo liri dhe e drejtë e qytetarëve. Integrimi i vendit nuk pengohet nga bojkoti i opozitës por nga arsyet që çuan opozitën në bojkotimin e parlamentit", theksoi z. Rama.

Më tej ai tha se "futja e opozitës në Kuvend, në kushtet e rënda të demokracisë, do të ishte mbyllja pa kushte e një problemi që jo vetëm nuk do të zgjidhet por do të rishfaqet në të ardhmen".

Kreu i të majtëve paralajmëroi përshkallëzim të protestave të të socialistëve, duke thënë se aksioni nuk është luftë për pushtet por betejë për drejtësi e dinjitet.

“Kjo nuk është një luftë për pushtet, por një betejë për dinjitet e drejtësi që nuk na e jep dhuratë e sa na e merr dot peng pushteti i Berishës” .

Ndërsa theksoi se zgjedhjet e manipuluara zvarrisin rrugën e Shqipërisë drejt integrimit, Rama paralajmëroi se në rast të moshapjes së kutive opozita do të kërkojë me forcë largimin e qeverisë.

“Shkurt dhe troç, në qoftë se kutitë do të mbahen të mbyllura, ne do të përdorim forcën për largimin e qeverisë deri në zgjedhje të parakohshme. Do të përdorim një të drejtë që nuk na e ndalon dot askush”, theksoi Rama.

Ora 17:00 - Protesta e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit ka nisur sot rreth orës 15:00 nga sheshi “Skënderbej”, e cila ka vijuar më pas para kryeministrisë.

Protestuesit mbanin në duar sloganet “Dua të shoh votën time” apo “Ku është vota ime”, duke u grumbulluar para kryeministrisë. Sipas njoftimit, protesta do të zgjasë deri të dielën, duke u “ngujuar” me çadra para ndërtesës së qeverisë.

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi theksoi se ishin në shesh, për të përfaqësuar kauzën fisnike të mbrojtjes së votës së lirë.

“Ne jemi këtu për të treguar vendosmërinë tonë të thellë dhe nderin e madh që përfaqësojmë kauzën e madhe dhe fisnike evropiane: votën e lire. Ne jemi këtu sepse e dimë mirë, kur grabiten vota, nuk na është grabitur vetëm buka, na është grabitur dhe e ardhmja!”, theksoi Ruçi.

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo tha se protesta nuk ishte thjesht hapja e disa kutive, por për të mbrojtur kauzën e lirisë për të votuar.

“Unė ju them pėrsėri se kauza jonė nuk ėshtė thjesht hapja e disa kutive ku fshihet e vėrteta e votės. Kauza jonė ėshtė shumė mė e rėndėsishme se kaq e s’ka tė bėjė me 3 apo 10 emra tė pėrvecėm kandidatėsh tė opozitės tė cilėve iu mohua pa tė drejtė mandati i deputetit. Thelbi i kauzės sonė ka tė bėjė me kthimin e lirisė sė kėrcėnuar tė qytetarėve, me demokracinė e dhunuar e tė nėpėrkėmbur, me rrezikun real qė kemi aktualisht se shteti po kthehet nė instrument tė pakontrolluar tė pushtetit”, theksoi Milo.

Në këtë protestë merrte pjesë edhe kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili ka kërkuar që t’i hapet rrugë transparencës së zgjedhjeve.

“Ne e kemi shoqërinë pjesëmarrëse, po ne nuk kemi lidershipin me vizion, me vullnet e me dëshirë për të na cuar në Bruksel. Sepse atje nuk shkohet me kuti votimi të mbyllura. Atje shkohet vetëm me demokraci. Prandaj jemi sot këtu, të majtë e të djathtë për t’i thënë Europës se duam demokraci, se kërkojmë votim të lirë, e duam të ndërtojmë një shtet të së drejtës.”, theksoi Dule para dhjetëra protestuesve.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›