E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 134-t para Kryeministrisë, ripërsëriten kërkesat

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Protesta e 134-t para Kryeministrisë, kundër investimit në Zvërnec, u zhvillua sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku aktivistë dhe qytetarë përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në nisje të protestës, aktivisti Mirjan Aliaj deklaroi se pjesëmarrësit do të vijojnë qëndresën e përditshme, duke theksuar se në tubime marrin pjesë qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit.

“Jemi këtu dhe kërkojmë çdo ditë pa ndalim dorëheqjen e Edi Ramës. Çdo ditë jemi në bulevard dhe kemi qytetarë që vijnë në protestë çdo ditë, si dhe të tjerë që na bashkohen në ditë të caktuara. Kemi qytetarë që vijnë nga qytete të ndryshme, por emëruesi i përbashkët është dorëheqja e parevokueshme e Edi Ramës”, u shpreh Aliaj.

Sipas protestuesve, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama do të hapte rrugën për ndryshime të rëndësishme politike dhe kushtetuese.

Gjatë tubimit, një qytetar deklaroi se ishte kthyer nga emigrimi për t’iu bashkuar protestës, duke e cilësuar qëndresën 134-ditore si një zhvillim të rëndësishëm.

Ai ngriti shqetësimin për vështirësitë ekonomike me të cilat përballen qytetarët, duke kritikuar, sipas tij, kontrastin mes vështirësive të familjeve shqiptare dhe pasurimit të zyrtarëve.

Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ndërsa kundërshtimi ndaj investimit në Zvërnec është një nga çështjet e ringritura në çdo tubim.

Dita e 134-t e protestës; fotoreporter: Florian Abazaj 1 nga 9

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›