Protesta e 6 dhjetorit/ Berisha: Rast i artë, lidershipi europian të dijë se jemi në betejë me armikun e shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit Sali Berisha, në një konferencë për media, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë në protestën e 6 dhjetorit, ditë në të cilën do të mbahet gjithashtu në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Sipas Berishës, protesta e 6 dhjetorit do të shërbejë për mbrojtjen e vlerave europiane që sipas tij janë të rrezikuara dhe kërcënuara nga kryeministri Edi Rama. Për kreun demokrat, kjo protestë që mbahet në të njëjtën ditë me samitin është një rast i artë për t’u treguar liderëve të BE dhe Ballkanit Perëndimor se njeriu që qëndron në samit si përfaqësues i Shqipërisë e ka ngritur pushtetin mbi dhunimin e votës së shqiptarëve.
“Samiti i 6 dhjetori përbën mbështetjen më të madhe për aspiratat demokratike të saj, por nesër ne, populli opozitar do mbushë rrugët dhe sheshet e Tiranës në një shenjë protestë. Në një protestë të fuqishme pikërisht në mbrojtje të vlerave europiane tmerrësisht të rrezikuara dhe kërcënuara NGA Edi Rama dhe regjimi i tij.
Çdo shqiptar që e do këtë vend, që do lirinë, dinjitetin njerëzor dhe që beson se kushti i të gjitha kushteve është vota e lirë, të bashkohet nesër në shesh me ne për t’i dëshmuar lidershipit europian se ne jemi në një betejë me armikun e egër të votës së Shqiptarëve Edi Ramën. Për t’u dëshmuar se njeriu që qëndron si përfaqësues i Shqipërisë në atë samit, e ka pushtetin dhe karrigen e ngritur mbi dhunimin e votës së shqiptarëve, mbi drogën, trafiqet, mbi narkoshtetin që ka ndërtuar në Shqipëri, mbi vjedhjet e mëdha të paimagjinueshme për një vend europian që u bën qytetarëve shqiptarë. Ai ulet si kryeministër i Shqipërisë aty, por edhe si kryehajdut i Shqipërisë gjithashtu.
Kjo është e vërteta. Me praninë tuaj të dashur qytetarë, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, i dilni zot këtij kombi në rrezik ekzistencial. Ne jemi në fatkeqësi të madhe me një person si ky në karrigen e Kryeministrit. Të paktën t’ia përcjellim këtë shqetësim mbarëopinionit publik europian dhe botëror.
Nesër më shumë se kurrë ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbushur bulevardin. Është një rast i artë, një detyrim madhor, politik, moral, ligjor dhe i gjithanshëm që të bëjmë prezentë para botës realitetin dhe rrezikun ekzistencial që kërcënon kombin shqiptarë. Ata duhet ta dinë se kur të takojnë atë duhet të kontrollojnë xhepat se ai është kryehajduti i shqiptarëve”, tha Berisha.
/rtsh.al/