Protesta e 8-të studentore në Tiranë, qytetarët denoncojnë veprimet e policisë: Nuk stepemi, do ta vazhdojmë kauzën, bashkohemi me të rinjtë për ndryshim
Protesta e tetë studentore kundër qeverisë po zhvillohet në Tiranë, ku krahas studentëve, sot në shesh janë bashkuar edhe pedagogë dhe qytetarë, të cilët shprehin mbështetjen e tyre për të rinjtë dhe kundërshtojnë mënyrën se si po menaxhohet situata.

Në një prononcim për mikrofonin e News24, një prej protestuesve u shpreh i tronditur nga veprimet e policisë, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të papranueshme.
“Janë makabritete, nuk janë të drejta veprimet e policisë. Jam shumë i shokuar nga veprimet e policisë”, u shpreh ai.
Edhe qytetarë të tjerë shprehën solidaritetin me studentët, duke e konsideruar protestën të drejtë dhe të domosdoshme përballë padrejtësive. Një qytetare theksoi se mbështetja ndaj të rinjve duhet të jetë më e gjerë dhe se qytetarët duhet të bashkohen në shesh për të kërkuar ndryshim.
“Është shumë e drejtë protesta. Bashkohem me të rinjtë dhe të rejat, sepse është shumë e drejtë për kauzën e tyre. Padrejtësia na shoqëron çdo ditë dhe e ndjejmë në kurrizin tonë çdo ditë. Nëse të gjithë dalim në shesh dhe bashkohemi me studentët, do të gjendet një zgjidhje”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, një tjetër protestues tregoi se është shoqëruar dy herë nga policia, por theksoi se kjo nuk do ta ndalojë të vijojë pjesëmarrjen në protestë.
“Mua më kanë shoqëruar dy herë kot, me duar në xhepa. Do të dal prapë, nuk stepem. Ta vazhdojmë këtë kauzë të gjithë bashkë, ishalla ia dalim në fund”, u shpreh ai.