“Po bëhet terror ndaj qytetarëve” – Ervin Goci: Mbështetja e pedagogëve ndaj të rinjve për dorëheqjen e Ramës është akti më i lartë nga komuniteti profesional
Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci deklaroi se shteti po ushtron terror ndaj të rinjve, që kanë dalë në shesh prej një jave kundër qeverisë së Edi Ramës.

Në një intervistë për News24, ai deklaroi se ka parë skena të rënda, duke denoncuar dhunën e ushtruar nga policia ndaj të rinjve.
“Qeveria është komplet ilegjitime. Popullsia e di dhe administrata e di. Edhe polici e ka të qartë por dihet pse një pjesë zgjedhin t’i rrinë besnik. Gjithë policia është e kapur me interesa private, oligarkike, biznesesh. Policia është kapur masivisht duke u lidhur me krimin. Unë nuk jam solidar me ta, kam parë skena horrori. Që ditën e parë që plasi, ishte pak metra ku u masakrua ai djali Klevi Metaj.
Me skemat që kam parë, shoqëria e ka pësuar me herë më shumë se sa ka pësuar policia. Kjo është terror ndaj qytetarit sepse shteti ka mjete të atilla që mund ta bëjë. Qytetari që këta e akuzuan për agjentura dhe njerëz të futur që kanë axhenda për të shkatërruar rendin kushtetues, deri tani nuk ka dalë njeri të thotë që ky është i lidhur me këtë.”, tha ai.
Ai e cilësoi mbështetjen që treguan pedagogët ndaj studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, si aktin më të lartë politik të bërë nga komuniteti i profesionistëve.
“Denoncim i dhunës, përgjegjësi e marrë nga stafi akademik, i cili nuk është kollaj të firmosësh një peticion që t’i kërkosh kryeministrit dorëheqjes. Të kërkosh dorëheqjen është akti më i lartë politik që bën një komuniteti profesional apo një hallkë e shoqërisë shqiptare shumë e rëndësishme. Hap i shtuar i protestës se dikur kërkohej masivisht në qershor në shesh, pastaj në tetor pati indinjatë të fuqishme që u reflektua me akte të mosbindjes civile dhe akte dhune të justifikuar ndaj institucioneve dhe tani vjen një fazë e re që ne futemi në një grevë që kërkon dorëheqjen e kryeministrit.”, shtoi ai.