Protesta e 92-të në Tiranë, protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë, kërkojnë ndryshime rrënjësore politike dhe institucionale

Sheshi “Skënderbej” në Tiranë është bërë sërish sot qendra e tubimit të radhës, në kuadër të protestës së 92-të kundër qeverisë dhe klasës politike në vend.
Pas grumbullimit në zemër të kryeqytetit, qytetarët e mbledhur kanë nisur marshimin përgjatë bulevardit kryesor drejt ndërtesës së Kryeministrisë, duke ngritur shqetësimet dhe kërkesat e tyre për zhvillimet e fundit socio-politike dhe ekonomike.
Në fokus të thirrjeve të protestuesve kanë qenë politikat qeverisëse për zonat e mbrojtura dhe projektet e investimeve strategjike. Pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesat e tyre, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, largimi i kastës aktuale politike, shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe miratimin e një ligji të ri zgjedhor.
Gjatë tubimit, protestuesit kanë shprehur gjithashtu pakënaqësi lidhur me nivelin e korrupsionit, mungesën e mundësive të punësimit, si dhe largimin masiv të të rinjve nga vendi, duke kërkuar ndryshime rrënjësore politike dhe institucionale.
/rtsh.al/