Dinamo, trajneri Daja: Vlerësim maksimal për Skënderbeun

Dinamo, pas përfundimit të rrugëtimit europian, i rikthehet kampionatit dhe pikërisht ndeshjes me Skënderbeun në javën e dytë të “Abissnet Superiore”, të hënën në “Elbasan Arena”, ora 21:00. Në prag të kësaj sfide, trajneri i bluve, Ilir Daja ka folur për gjendjen e skuadrës dhe sfidën e radhës.
“Jemi të ndërgjegjshëm që rrugëtimi në Europë është një sukses. Tani kthehemi dhe fokusohemi në kampionat. E dimë që është e vështirë, sepse kemi bërë 120 minuta në play-off para tre ditësh.
Përballë kemi një Skënderbe që rikthehet në Abissnet Superiore dhe rikthimi i tij është një vlerë e shtuar për elitën e futbollit shqiptar. Ndeshja duhet vlerësuar në maksimum dhe ne duhet të menaxhojmë sa më mirë burimet energjike, që të jemi sa më efikasë në këtë përballje.
Skuadra është në gjendje të mirë. Kemi probleme me dy lojtarë për shkak të viruseve të stinës, ndërsa pjesa tjetër është e gjitha në dispozicion”.