Protesta e Rinasit, banorët nuk çojnë fëmijët në shkollë

Banorët e Rinasit kanë thelluar më tej protestën e tyre pas vendimit të ARSH që rruga e Rinasit të kthehet me një sens.
Të mërkurën në ditë e tretë të protestës ata kanë bllokuar rrugën duke u ulur këmbëkryq, ndërkohë që nuk kanë dërguar as fëmijët në shkollë në shenjë proteste.
Me thirrje “Hapni rrugën”, ata kërkojnë që aksi të jetë i kalueshëm me dy sense, pasi në të kundërt duhet të bëjnë shumë më shumë kilometra për të kryer aktivitetet e tyre të përditshme.
“Nuk na bind deklarata e ARRSH. Të vijnë këtu ata dhe ta shohin sa kalohet te rrugët e lagjeve. Ne duam të hapet rruga siç ishte”, tha një nga banorët.
Janë 260 shtëpi që preken nga bllokimi i rrugës, ndërsa 130 fëmijë duhet të përshkojnë një rrugë shumë të gjatë për të shkuar në shkollë. Banorët kërkojnë që rruga të rikthehet siç ishte, pasi është një kosto shumë e lartë për jetën e tyre të përditshme.
ARRSH ka vendosur që për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.