E Enjte, 5 Nëntor 2026

Protesta e dhunshme e opozitës, Braçe: Po u japin fëmijëve molotov në duar, Avokati i Popullit dhe Policia të reagojnë

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe reagoi sot për dhunën e ushtruar gjatë protestës së fundit të opozitës në Tiranë, ku sipas tij, u përdorën në mënyrë të paligjshme edhe minorenë, të cilëve iu dhanë në duar armë vdekjeprurëse.

Përmes një reagimi për mediet, Braçe i bërë thirrje Avokatit të Popullit dhe organizatave për të drejtat e fëmijëve që të reagojnë për shfrytëzimin e të miturve nga opozita.

“Pse heshtin? Pse? Nga kush kanë frikë të thonë të vërtetën; të dëshmojnë krimin e tmerrshëm që u bë me fëmijët në protestën e dhunshme të PD-së”, tha Braçe.

Sipas tij, “në protestën e dhunshme u konsumuan një mori krimesh të rënda, si përdorimi i fëmijëve dhe përfshirja e tyre në akte të rënda kriminale siç ishte gjuajtja me molotovë mbi policinë e institucionet, shkatërrimi me sende të forta i pronës”.

“Po ashtu, vënia në duar të fëmijëve të armëve vdekjeprurëse si molotovi; sulmi me armë vdekjeprurëse si molotovi ndaj policisë dhe cenimi deri në rrezikim serioz të jetës së tyre; sulmi me zjarr me intensitet të fortë, insistimi për të djegur selinë qendrore të Partisë Socialiste, duke cenuar rëndë lirinë politike në këtë vend; sulmi me të njëjtat armë në fillim-molotovë, kur nuk u bë hiç kujdes, sidomos para selisë së PS-së, ku gazetarët i rrezikuan të digjeshin, më pas me dhunë në rrugë afër qendrës së Tiranës, duke i penguar të bëjnë punën e tyre”, tha Braçe.

“Tani kam dy pyetje. E para, Avokati i Popullit, organizatat që mbrojnë liritë e të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve, përse heshtin? Përse nuk qëndrojnë para krimeve që u kryen e u dëshmuan publikisht? Nga kush tremben? E dyta, po Policia e Shtetit përse nuk referon përdorimin e fëmijëve dhe përfshirjen e tyre në akte të rënda krimi e terrori? Përse?”, pyet Braçe.

Sipas tij, “në këtë vend, nuk ka ndodhur kurrë të rekrutohen, armatosen e përfshihen në akte terrori fëmijët”.

Protesta e opozitës më 7 tetor u shoqërua me akte dhune dhe molotovë. Sipas policisë, protestuesit kanë shkatërruar pronën private dhe publike, kanë hedhur lëndë djegëse shpërthyese dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike. Gjithashtu kanë dëmtuar tabelat e reklamave dhe kanë djegur kazanët e mbeturinave.

Si pasojë e sulmeve me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov, mbi punonjësit e Policisë dhe godinat e institucioneve shtetërore, janë dëmtuar 10 punonjës policie, nga të cilët 7 pas ndihmës mjekësore u larguan në banesë, ndërsa 3 të tjerët u trajtuan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

/m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›