“Protesta është e fuqishme, nuk vdes!” – Revolta e studentëve, Ahmetaj: Rama ka rënë, e vetmja gjë që bën është të zgjasë agoninë e vendit
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka komentuar protestën e studentëve në Tiranë, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama ka rënë politikisht.

Në një intervistë në emisionin “Çim Peka Live”, ai theksoi se sot qeveria nuk po qeveris, por po pret që revolta të shuhet. Sipas ish-numrit dy të qeverisë edhe nëse protesta bie sot, pas një jave do jetë edhe më e fuqishme.
“Sot qytetet janë në dominim të protestës dhe të studentëve, kufiri është në dominim të karteleve, ekonomia në dominim të oligarkëve. Vetëm qeveria nuk qeveris. Qeveria mendon rrugëdaljen dhe numëron orët me shpresë që të bjerë protesta. Protesta, edhe nëse bie sot, pas një jave e ke trefish dhe nuk ka për të rënë”, u shpreh Ahmetaj.
Ai e cilësoi Ramën si një lider që ka humbur mbështetjen, duke argumentuar se e vetmja gjë që po bën është zgjatja e krizës në vend.
“Për mua është një model i rënë, njeriu është tashmë i rënë. Për mua, e vetmja gjë që bën është që zgjat agoninë e një vendi”, tha Ahmetaj.
Arben Ahmetaj: Sot qytetet janë në dominim të protestës dhe të studentëve, kufiri është në dominim të karteleve, ekonomia në dominim të oligarkëve. Vetëm qeveria nuk qeveris. Qeveria mendon rrugëdaljen dhe numëron orët me shpresë që të bjerë protesta. Protesta, edhe nëse bie sot, pas një jave e ke trefish dhe nuk ka për të rënë.
Për mua është një model i rënë, njeriu është tashmë i rënë. Për mua, e vetmja gjë që bën është që zgjat agoninë e një vendi. Fatkeqësisht, po të kishte drejtësi të çliruar nga politika, nuk do të kishim këtë revoltë në rrugë. Kemi një drejtësi të kapur që ka funksionuar për të zgjatur ditët e tij, duke ndihmuar me dashje apo pa dashje të zgjasë agoninë mbi trupin e Shqipërisë. Por Shqipëria nuk vdes, protesta nuk vdes!