Protesta masive në Izrael, Netanyahu pezullon reformën në drejtësi

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka pezulluar legjislacionin për reformimin e sistemit gjyqësor, pasi vendi u përfshi nga protesta masive.
Sipas propozimeve, qeveria do të kishte kontroll mbi emërimin e gjyqtarëve dhe parlamenti do të fitonte fuqinë për të anuluar vendimet e Gjykatës së Lartë.
Protestat u intensifikuan pasi Netanyahu shkarkoi nga detyra Ministrin e Mbrojtjes pikërisht sepse kundërshtoi reformën e gjyqësorit, ndërsa federata më e madhe e sindikatave u ngrit në protestë, ku iu bashkuan me mijëra njerëz. Transporti publik, universitetet, dyqanet e restorantet u mbyllën në shenjë protestë.
Për këtë arsye, në një deklaratë për mediat, Netanyahu u shpreh se legjislacioni i rishikimit gjyqësor të Izraelit do të pezullohet deri në seancën e ardhshme të Knesset-it (legjislatura njëdhomëshe e Izraelit, organi suprem shtetëror), pas pushimeve të Pashkës në prill.
Megjithatë, pavarësisht pezullimit, kryeministri izraelit nuk u tërhoq nga këmbëngulja se rishikimi i gjyqësorit ishte i nevojshëm./ BBC
/rtsh.al/