E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Qëlluan me armë zjarri drejt një automjeti pas një konflikti të çastit, në kërkim babë e bir në Rrëshen

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në Rrëshen mbrëmjen e kësaj të diele (26 mars) pas një konflikti të çastit, ndërsa fatmirësisht nuk kanë mbetur persona të plagosur.

Nëpërmjet një njoftimi, Policia bën me dije se babë e bir, janë shpallur në kërkim.

Pas një konflikti të çastit për motive të dobëta,  M. B. dhe E. B., kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të një personi tjetër, banues në Mirditë, i cili gjatë largimit ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me bordurën e rrugës.

Policia sqaron se fillimisht janë konfliktuar dy të rinjtë me njëri-tjetrin dhe më pas shtetasi E. B. ka shkuar në banesë dhe së bashku me babanë e tij, shtetasin M. B., kanë marrë pistoletën dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte personi tjetër.

Janë ngritur pika kontrolli, si dhe vijon kontrolli i zonës, me kapjen e babë e bir.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, me qëllim zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›