Protesta në Tiranë prej më shumë se 8 orësh, turma shtohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Protesta në Tiranë vijon prej më shumë se tetë orësh, ndërsa gjithnjë e më shumë qytetarë po i bashkohen tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Protestuesit kanë mbushur sheshin përpara Kryeministrisë dhe hapësirat përreth, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Thirrjet “Rama, dorëheqje!” dëgjohen vazhdimisht në zonën ku po zhvillohet tubimi.
Në protestë vihet re një pjesëmarrje e konsiderueshme e të rinjve, ndërsa turma shtrihet nga godina e Kryeministrisë në drejtim të Ministrisë së Brendshme.
Pas disa orësh qëndrimi në shesh, situata është tensionuar dhe janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe policisë. Efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe topin e ujit në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Pavarësisht tensioneve, protestuesit vijojnë të qëndrojnë në bulevard, ndërsa kërkesa kryesore e tubimit mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.