E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon sërish Albana Koçiu, Rama ka mbyllur gojën: Vijë e hollë mes protestës dhe kaosit

Reagon sërish Albana Koçiu, Rama ka mbyllur gojën: Vijë e hollë mes protestës dhe kaosit

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas përshkallëzimit të protestave në Tiranë, ku janë shënuar përplasje mes demonstruesve dhe policisë, si dhe zjarre e dëmtime në institucione dhe prona.

Koçiu kujton pasojat që, sipas saj, ka pasur vendi nga kaosi në të kaluarën, duke theksuar se dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk janë rruga për të sjellë ndryshimin.

Ajo u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe vetëpërmbajtjen, ndërsa thekson rëndësinë e mbrojtjes së institucioneve, bizneseve dhe sigurisë publike.

“Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur”, shkruan Koçiu.

Reagimi i plotë i Albana Koçiut:

“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot.

Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi.

Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari.

Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›