Rikthehet murtaja e ruminantëve në Shkodër, asgjësohen dhjetëra krerë dele

Rasti i parë i murtajës së ruminantëve për këtë vit është konfirmuar në fshatin Mali i Gjymtit, në njësinë administrative Dajç.
Pas verifikimeve nga shërbimet veterinare, Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar vendosjen e zonës në karantinë, në një perimetër prej 3 deri në 10 kilometra, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Si pasojë e infektimit, rreth 20 krerë dele në pronësi të fermerit Sokol Volaj janë groposur, ndërsa pritet asgjësimi edhe i rreth 60 krerëve të tjerë.
Rasti është konfirmuar zyrtarisht prej tre ditësh, ndërkohë që dëmi ekonomik për fermerin konsiderohet i lartë, duke kapur vlerën 10–15 milionë lekë të vjetra. Ai shpreson në një dëmshpërblim nga strukturat përkatëse.
Administratori i njësisë Dajç, Broz Pjetrani, bën të ditur se “ka dyshime për praninë e rasteve të tjera në zonë, ndaj pritet të vijojnë inspektimet dhe analizat përkatëse për të identifikuar çdo vatër të mundshme”.
Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Ekstensionit Bujqësor në Shkodër ka shtrirë kontrollet edhe në zona të tjera, për shkak të rrezikut të përhapjes. Një vit më parë, në qarkun Shkodër u evidentuan tre raste të tilla, duke çuar në asgjësimin e bagëtive të prekura dhe vendosjen e zonave në karantinë sipas legjislacionit në fuqi.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/