Protesta në ditën e dhjetë, studentë dhe pedagogë vijojnë tubimin para Kryeministrisë

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Protestës së studentëve në ditën e dhjetë të saj i janë bashkuar pedagogë të universiteteve si dhe qytetarë.
Protestës të mbajtur sot para Kuvendit iu bashkuan edhe përfaqësues të Dialogut Politik, pedagogët Ermal Hasimja dhe Aleksandër Biberaj.
Në një prononcim për mediet, Biberaj shprehu mbështetjen e tij për këtë protestë. “Do t’i bëja thirrje Presidentit të Republikës, që të shohë mundësinë që ta shkrijë këtë Parlament, se nuk po e kryen misionin e vet”, tha ai.
I pyetur nëse janë të hapur për dialog me Ramën, ai u shpreh i prerë, jo, duke theksuar se “Edi Rama është personi më antidialog. Ne do të rrimë në rrugë derisa të realizohet kauza e të rinjve. Rinia do ta ndryshojë këtë vend”.
Forumi i Dialogut Politik u ka bërë thirrje pedagogëve në të gjithë vendin që t’i bashkohen nismës për kundër dhunës ndaj studentëve.
Gjatë qëndrimit përpara Kuvendit u shënuan incidente të vogla, ku disa protestues tentuan të heqin gardhin rrethues, por nuk u lejuan nga forcat e Policisë.
Aktualisht protestuesit po qëndrojnë përpara Kryeministrisë ku më herët rrëzuan stolat e gurit të vendosur para godinës mëngjesin e sotëm nga Kryeministri Edi Rama si një ftesë drejtuar studentëve dhe pedagogëve për dialog.
Grupe të vogla protestuesish vijuan të qëndrojnë para Kryeministrisë deri gjatë pasdites dhe orëve të mbrëmjes.
/k.s/r.e/ /a.g/