Protesta në selinë e PD-së, Basha e Berisha përfundojnë në Prokurori

Për ngjarjen e 8 janarit ku u thirr protesta në selinë e Partisë Demokratike, Prokuroria do të marrë dëshmi edhe nga dy zyrtarët demokratë kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputetin Sali Berisha.
Jo zyrtarisht mësohet se Prokurori Elio Mazreku do të marrë në cilësinë e deklaruesit Berishën dhe Bashën, ndërsa nuk është përcaktuar se kur do të thirren.
Berisha dhe Basha do të pyeten në lidhje me ngjarjen dhe trazirat që ndodhën në protestën e 8 Janarit, në oborrin e selisë së Partisë Demokratike.
Kujtojmë se për protestën, policia arrestoi 34 persona dhe procedoi penalisht në gjendje të lirë 18 të tjerë, mes tyre Gazment Bardhi e Flamur Noka.
Bardhi akuzohet për lëndën nga bombolat anti-zjarr që është hedhur nga brenda godinës së PD, ndërsa Noka për tubim të paligjshëm.
Për të proceduarit ditën e martë pritet të zhvillohet edhe seanca për njohjen me masat e arrestit.
Më 8 janar për më shumë se 3 orë pati përplasje mes mbështetësve të Berishës me atyre të Bashës që ishin brenda godinës.