E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Protesta para Kuvendit/ Ilir Meta: Rama, i tmerruar nga firmat që ka hedhur për të vjedhur miliardat

Duke folur para protestuesve të opozitës, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se kryeministri Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një ferr për njerëzit e ndershëm. Sipas Metës, Rama po përpiqet që shqiptarët ose t’i largojë nga vendi ose t’i nënshtrojë duke i lënë të varfër. Meta u shpreh se Rama është i tmerruar nga firmat që ka hedhur për të vjedhur miliardat me koncesionet, duke blerë sipas tij McGonigalët dhe duke goditur opozitën në vend.

“E tmerron e vërteta, e tmerrojnë firmat që ka hedhur për të vjedhur miliarda e për të blerë McGonigalët dhe për të vrarë opozitën dhe pluralizmin në Shqipëri. Po pse? Sepse dëshiron ta kthejë Shqipërinë në një ferr të vërtetë për shqiptarët e ndershëm, ose t’i përzërë ose t’i nënshtrojë përmes varfërisë së tyre.”, u shpreh Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria vuan nga kartonakracia dhe se Edi Rama e ka uzurpuar Partinë Socialiste duke mos lejuar asnjë zë të vetëm ndryshe.

“Ka pasur disa pushtues që ka lënë disa vepra të mira në këtë vend, ndërsa ky sekt bastardësh vetëm dëme i ka bërë vendit tonë, shtetit tonë dhe interesit tonë kombëtar. Unë vij nga Partia Socialiste, ju e dini shumë mirë, edhe socialistët e dinë shumë mirë. Duhet tu them një histori që si shpjegohet që u katandis ky parlament që përjashtohet profesor Edmond Spaho, që përjashtohet profesor Tritan Shehu, që përjashtohen tërë ato gra e deputetë të nderuar për një fjalë goje. Po sepse ai është në një gjendje shumë të rëndë, por edhe sepse e ka shuar edhe atë parti Socialiste që ekzistonte, e ka fshirë e ka uzurpuar. Sot Shqipëria vuan nga kartonakracia.

Në vitin 2017 më vjen një zonjë e nderuar nga Partia Socialiste, e majtë që në themelimet e PS-së, ish-ministre. Më thotë meqenëse se ti tani je zgjedhur për president; a ke ti kundërshtim që unë të shkoj ambasadore në SHBA-të.
-Po jo çfarë problemi kam unë, vetëm të vijë propozimi!

-Po unë nuk dua tha të shkoj se dua të vijoj deputete por më thirri Edi dhe mu përgjërua; ty të dua atje, të dua në Amerikë, të dua ambasadore.

-Nuk e di, i thashë unë, po më erdhi propozimi unë s’kam asnjë vërejtje për ty! Po kujdes i thashë; Se mos po ta fut Edi, se nuk të do për deputete, sepse ajo ngrinte probleme herë pas here. Ajo ishte zëri i fundit që kishte ngelur në grupin parlamentar dhe PS-së. Ajo zonja e nderuar as ambasadore nuk u bë që mund të ishte bërë ministre në vend të kukullave që vë ai, as anëtare e Asamblesë nuk u bë. Sepse kemi të bëjmë me një skizofren që edhe një njeri që thotë një mendim ndryshe, e shqetëson, e tmerron”, theksoi më tej Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›