Protesta para Kuvendit/ Flamur Noka: Rama ka minuar demokracinë, antiamerikani më i madh që ka njohur historia

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka ka deklaruar se opozitës po i mohohet e drejta për të folur në Kuvend për skandalin “McGonigal” pasi Edi Rama ka frikë nga e vërteta. Sipas Nokës, Rama është i kapur peng dhe në flagrancë duke minuar demokracinë.
“Këtu është parlamenti real, këtu janë njerëzit e lirë që kanë votuar përfaqësuesit e tyre. E patë skenën e turpshme, garda urdhërohet të ndalojë deputetët e opozitës. Edi Rama urdhëron bllokimin e Kuvendit dhe ndalon zërin e opozitës sepse Edi Rama ka frikë nga e vërteta sepse Edi Rama është i kapur peng, është i kapur në flagrancë duke minuar demokracinë. Ne po kërkojmë të drejtën për të folur, një e drejtë që është fituar në dhjetorin e vitit 1990”, u shpreh Noka para protestuesve demokratë.
Noka vuri në dukje se kryeministri Rama është antiamerikani më i madh pas diktatorit Enver Hoxha. Për këtë arsye, sipas tij, kreu i qeverisë po poshtëron Parlamentin dhe parlamentarizmin.
“Ne po kërkojmë që të përcjellim zërin tuaj aty dhe ky zë ndalohet. E patë edhe sot. Sapo përmendet emri i Edi Ramës, Linda e Parlamentit nuk bën asgjë më shumë se ndërpret fjalën. Ku është thelbi i këtij poshtërimi që Edi Rama po i bën Parlamentit dhe parlamentarizmit? Thelbi është sepse ai u kap në një veprim kundër partnerit tonë strategjik. Skandali Rama-McGonigal është skandali më i madh, është gjesti më i madh antiamerikan që mund të kishte realizuar një qeveri që pas prishjes së prishjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Enver Hoxha. Pra, pas Enver Hoxhës, Edi Rama është antiamerikani më i madh që ka njohur historia dhe kjo sot është e vërtetuar. Edi Rama goditi në zemër sigurinë e SHBA-ve, pasi korruptoi agjentin e FBI-së”, përfundoi fjalën e tij, Flamur Noka, para mjediseve të Kuvendit.
/rtsh.al/