Protestat e mëdha pas arrestimit të Imamoglut. Qeveria turke: Vendi nuk do t’i dorëzohet terrorit të rrugës

Mijëra protestues marshuan në Stamboll të premten vonë në mbështetje të kryebashkiakut të arrestuar, duke kundërshtuar një paralajmërim nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan se autoritetet do të shtypin “terrorin e rrugës”.
Ishte nata e tretë me radhë e demonstratave që mbështesin Ekrem Imamoglu – rivali kryesor politik i Erdoganit – i cili u arrestua të mërkurën, vetëm disa ditë përpara se ai të pritet zyrtarisht të emërohet si kandidat në zgjedhjet presidenciale të vendit 2028.
Protestat për arrestimin e Imamoglu filluan në Stamboll të mërkurën dhe u përhapën shpejt në të paktën 32 nga 81 provincat e Turqisë, sipas një numërimi të AFP.
Partia kryesore opozitare e Turqisë CHP, e cila synon ta bëjë Imamoglun kandidatin e saj presidencial, e ka përshkruar arrestimin e tij si një “grusht shteti”.
Udhëheqësi i saj, Ozgur Ozel, bëri thirrje për protestën e tretë të natës në Stamboll dhe në mbarë Turqinë. Të paktën 10,000 njerëz u përgjigjën në Stamboll të premten vonë, duke marshuar drejt bashkisë, thanë gazetarët e AFP.
“Mos hesht, përndryshe do të vijnë për ty!” protestuesit bërtitën. Shumë prej tyre mbanin lart pankarta me slogane si “Mos kini frikë, populli është këtu” dhe “Të drejta, ligj, drejtësi”.
Më herët, Erodogan paralajmëroi se “Turqia nuk do t’i dorëzohet terrorit të rrugës”.
“Më lejoni ta them me zë të lartë dhe qartë: protestat në rrugë që kreu i CHP-së ka bërë thirrje janë një rrugë pa krye,” paralajmëroi Erdogan. Qeveria e tij i ka cilësuar protestat “të paligjshme”.
Guvernatori i Stambollit mbylli rrugët kryesore të hyrjes në gadishullin ku ndodhet Bashkia — duke përfshirë urën e Galatas dhe urën e Ataturkut dhe rrugët kryesore.
Autoritetet zgjeruan gjithashtu ndalimin e protestave në kryeqytetin Ankara dhe në qytetin bregdetar perëndimor të Izmirit.
Të enjten, policia qëlloi me plumba gome dhe gaz lotsjellës ndërsa u përleshën me studentët që mbanin demonstrata në Stamboll dhe Ankara, thanë korrespondentët e AFP.
Nga ana tjetwr, qeveria e Turqisë e ka paralajmëruar të premten partinë kryesore opozitare kundër thirrjeve “të jashtëligjshme” për protesta në rrugë, në lidhje me arrestimin e kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha se 53 njerëz janë arrestuar dhe 16 oficerë policorë janë lënduar në protestat që filluan në kampuse universitare, selinë qendrore të komunës së Stambollit dhe në pjesë të tjera të vendit të enjten.
Imamoglu, rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, u arrestua të mërkurën nën akuzat për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist.
Partia kryesore opozitare e Imamoglut, Partia Popullore Republikane, ka thënë se arrestimi i tij është i nxitur politikisht dhe u ka bërë thirrje njerëzve të dalin për të protestuar ligjërisht.