Në Bruksel janë shënuar përparime të theksuara

Delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, me 30 dhe 31 maj ka qëndruar në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e parë për Zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Nën kryesimin e BE-së, gjatë dy ditëve, janë mbajtur takime të shumta të grupeve punuese për çështjet e adresuara në Marrëveshjen për Normalizim dhe Planin për Zbatim, duke përfshirë çështjet e drejtësisë, sigurisë, të shkëmbimeve diplomatike, si dhe të energjisë dhe telekomit.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës, në këto bisedime të gjata dhe intensive janë shënuar përparime të theksuara në drejtim të krijimit të planeve të detajuara për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim, ku përfshihen përgjegjësitë dhe obligimet e të dyja palëve për të përmbushur obligimet që dalin nga Marrëveshja për Normalizim dhe Plani për Zbatim si dhe janë saktësuar afatet kohore brenda të cilëve duhet të bëhet zbatimi praktik.
Pas përfundimit të takimeve dy ditore, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deklaroi se në bisedimet e Brukselit ka mbizotëruar një atmosferë pune mjaft konstruktive si dhe ka pasur rezultate konkrete në kuadër të angazhimeve për të çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim.
Ajo theksoi se është biseduar për dinamikën e zhbërjes së strukturave ilegale serbe në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë si dhe për hapat që pala Serbe duhet të ndërmarrë në këtë drejtim duke potencuar se duhet të respektohen afatet e parapara në Planin për zbatim.
”Po ashtu, kemi diskutuar për çështjet e integrimit të individëve të komunitetit serb në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë të shtetit të Kosovës, nëpërmjet të një procesi të rekrutimit sipas ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe për çështjet dhe procedurat e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke respektuar Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës dhe Kartën Evropiane për qeverisjen lokale”, tha Tahiri.
”Rezultati kryesor në ketë raund të bisedimeve ishte nënshkrimi i Marrëveshjes për shkëmbimin e përfaqësimit diplomatik mes dyja të shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe sipas kësaj Marrëveshjeje e cila është negociuar për muaj të tërë, është arritur pajtimi se me 17 qershor 2013, të ndodh shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatik mes të dyja shteteve”, tha ajo duke vlerësuar se kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë për normalizimin e marrëdhënieve mes dyja shteteve si dhe përbënë një kontribut i rëndësishëm për fqinjësinë e mirë, paqen dhe stabilitetin në rajon.
Poashtu, gjatë këtyre dy ditëve në Bruksel, grupet e eksperteve janë takuar dhe kanë biseduar edhe për çështjen e telekomit dhe të energjisë. Zëvendëskryeministrja Tahiri deklaroi se qëndrimet për telekomin në mes të dy shteteve janë përafruar. Është arritur pajtimi që brenda këtyre ditëve, ndërmjetësuesi nga Bashkimi Evropian të ofrojë zgjidhje konkrete duke ofruar një model i dalë si rezultat i këtyre bisedave.
Për sa i përket çështjes së kodit shtetërorë të Kosovës, Tahiri tha se Republika e Kosovës ka kërkuar dhe vazhdon të kërkoj që Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) të vendos që njërin nga kodet e mundshme, 383 ose 384 ti ndahet për shfrytëzim Kosovës dhe se në ketë drejtim pala serbe është pajtuar se nuk do të bëjë kundërshtime dhe se do të pajtohet me një vendim të tillë.
Gjithashtu edhe sa i përket çështjes energjisë janë shënuar përparime por sikurse çështja e telekomit do të ketë ide shtesë nga ana e BE-së me qëllim të që procesi të ec drejtë finalizimit të marrëveshjeve. Rezultati i rëndësishëm që vlen të theksohet lidhur me këtë çështje është zotimi i palës serbe për vendosjen e bashkëpunimit ndërshtetëror, në mes autoritetit të transmisionit të Kosovës KOSTT dhe aurotitetit homolog në Serbi, si dhe mos të pengohet rruga e këtij institucioni për tu bërë pjesë e institucioneve evropiane.
Në fund, Tahiri përmendi se ka pasur tendenca nga pala serbe për të devijuar nga Marrëveshja për normalizim dhe Plani për zbatim, mirëpo që pala e Kosovës me sukses ka penguar tendencat e tilla negative.
Takimet e radhës për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim vazhdojnë javën tjetër.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri përbëhej nga zyrtarë të lartë qeveritarë dhe udhëheqës institucioneve dhe organeve të gjyqësisë dhe të kompanive publike./Indeksonline/