Protestat rrezikojnë fillimin e Premier Ligës
Protestat të cilat shkaktuan anulimin e miqësores në mes të Anglisë dhe Holandës, e kanë vënë në dyshim edhe fillimin e ndeshjeve të Premier Ligës këtë fundjavë.
Shpërthimi i dhunës ka tejkaluar limitet e policisë dhe mund të kërcënojë zhvillimin e ndeshjeve të elitës së futbollit anglez, që zakonisht monitorohen nga 100 policë.
Nëse drejtuesit e policisë vendosin se forcat e policisë duhet të jenë diku tjetër, atëherë kjo mund të bëjë që ndeshjet e Premier Ligës të shtyhen.
Ndeshja e sotme miqësore mes Anglisë dhe Holandës e parashikuar të zhvillohet në Wembley është shtyrë, siç janë shtyrë edhe katër ndeshje të Kupës Carling në Londër si edhe miqësorja në mes të Ganës dhe Nigerisë në Watford gjatë të martës.
“Me informacionet të cilat i kemi, nuk ka arsye për të menduar se ndonjë ndeshje jashtë Londrës mund të preket”, thuhej në një deklaratë të djeshme të Premier Ligës dhe Ligës së Futbollit.
Megjithatë shpërthimi i dhunës në Manchester, West Midlands, Nottingham dhe Gloucester mund të detyrojë drejtuesit e këtij sporti të rimendohen.
Fjalën e fundit për zhvillimin ose jo të ndeshjeve në Londër do ta thotë Policia e Kryeqytetit, pasi janë ata të cilët do të monitorojnë situatën gjatë 48 orëve të ardhshme.