E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë para objektit të OSBE-së

Sindikata e Ndërmarrjes Shoqërore “Marketing” ka protestuar para objektit të OSBE-së në Prishtinë, që më parë njihej si objekti i bankës së Lubjanës, me ç’rast ka kërkuar lirimin e objektit, pagesën e qirasë, si dhe kompensimin e dëmeve eventuale të shkaktuara gjatë këtyre viteve.

Drejtori i Sindikatës së Ndërmarrjes Shoqërore “Marketing”, Agim Kastrati, ka thënë të mërkurën se punëtoret e kësaj ndërmarrjeje qe 11 vjet nuk kanë të drejtë të futen në objekt dhe se menaxhmenti i NSH-së ka kërkuar zgjidhje, por OSBE-ja nuk ka treguar gatishmëri.

Sipas tij, punëtorët e “Marketingut” që prej pas luftës nuk kanë pasur mundësi të futen në katet e tyre (5,6, 7dhe 8) në ndërtesën ku ndodhet OSBE-ja.

Për më tepër Kastrati ka thënë se pas largimit të paralajmëruar të OSBE-së nga objekti ky mision duhet të paguajë tatimin në pronë për periudhën sa kanë qëndruar aty, për çka edhe ua kanë dërguar faturën e borxhit.

Misioni i OSBE-së përmes një komunikate për media gjatë ditës ka sqaruar se për shkak të nevojave të reduktuara operacionale, ka shpallur tender për objekt të ri qysh në korrik të vitit 2009 dhe do të zhvendoset në ndërtesë të re brenda pak muajve.

“OSBE është në dijeni të pretendimeve nga subjekte të ndryshme rreth pronësisë së objektit që e shfrytëzon që nga viti 1999, por përsërit se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë vendim nga ndonjë autoritet kompetent lidhur me këto pretendime. Misioni nuk ka kompetencë për ta përcaktuar pronësinë”, thuhet në komunikatë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›