E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-minatorët e Stantërgut protestuan para Qeverisë

(E plotësuar) Qindra ish-minatorë të minierës së Stantërgut kanë protestuar të mërkurën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, me kërkesë që të miratohet Ligji pensional, ai invalidor, Ligji i punës dhe Ligji për shëndetësi.

Kryetari i Sindikatës së ish- minatorëve, Ramadan Ademi, është zotuar se do të kryejë me dinjitet detyrën e besuar për të çuar deri në vend plotësimin e kërkesave të ish-minatorëve, të cilat sipas tij deri më tani kanë hasur në vesh të shurdhër.

“Kërkesat i dini shumë mirë, unë edhe një herë po ju tregoj. Ne kemi kërkuar ligjin mbi sigurimin pensional dhe invalidor, kemi kërkuar ligjin e punës, kemi kërkuar ligjin e shëndetësisë, kemi kërkuar që derisa të vijnë këto ligje në fuqi kjo skemë të cilën ne e gëzojmë, dikush i thotë pension, ndërsa unë gjithmonë i them social dhe atë jemi në katër grupe të ndara. Një grup i merr 80 euro, një grup i merr 50 euro, një grup i merr 30 euro, ndërsa një grup është që nuk e merr asnjë cent dhe cili është ai grup, të gjithë ata vëllezër tonë që kanë shkuar nga kjo botë dhe fëmijët e tyre kanë mbetur këtu nuk e gëzojnë asnjë cent”, ka thënë Ademi.

Për më tepër, Ademi konsideron se kërkesat e tyre janë minimale krahasuar me kushtet të cilat i gëzojnë pushtetarët.

“Ne nuk po kërkojmë vetura të blinduara, nuk po kërkojmë pallate, nuk po lypim rrogë 1 mijë, 2 mijë apo 3 mijë euro. Ne jemi duke kërkuar bukë dhe djersën tonë, andaj do të jemi stoik deri në fund për kërkesat tona”, ka thënë Ademi.

Përfaqësuesi i një ndërmarrjeje nga Dardana, Fadil Kastrati ka përkrahur plotësisht protestën e punëtorëve të ish-kombinatit “Trepça” dhe ka kërkuar nga qeveria që sa më shpejt të marrë masa në këtë drejtim.

“I përkrahi plotësisht të gjitha kërkesat e klasës punëtore të ish-“Trepçës”, kombinati “Trepça” para luftës ka qenë bum për Kosovën, e ka mbajtur gjithë ekonominë e Kosovës dhe ish-Jugosllavisë, ndërsa tani kanë mbetur në mëshirën e 30 eurove dhe 50 eurove. Kjo me të vërtetë është turp i kësaj kohe. Prandaj kërkoj nga Qeveria që sa më shpejt të marrin masa dhe të ngritën të gjitha pensionet dhe të miratojë të gjitha kërkesat të favor të klasës punëtore të “Trepçës” dhe të punëtorëve të tjerë”, u shpreh Kastrati.

Grevisti Hajrullah Halili është shprehur i zhgënjyer me përkujdesjen institucionale për ish-minatorët, duke thënë se nuk ka besuar që do të vijë koha që pas 20 vjetëve të kërkesës së tyre për të qenë të lirë, punëtorët e “Trepçës” do të bëjnë të njëjtin rrugëtim, por tani me një qëllim tjetër, për të kërkuar të drejtat e tyre.

“Qeveritarët tanë pasi ua dhamë votën edhe iu besuam e ata na e kthyen ndryshe dhe na tradhtuan. Kërkesat dhe dëshirat e veta i kanë plotësuar dhe i plotësojnë, çdo gjë duan të privatizojnë dhe të fusin paratë në xhep, me miliona para u nxihen të vjedhura e ju dihet pasuria pa ardhur në këto vende të punës ku janë kanë dhe kush janë sot”, ka thënë Halili. /kosovapress/

Minatorët marshojnë drejt Prishtinës

Rreth 500 ish-punëtorë të Trepçës, pensionistë të parakohshëm, janë nisur sot në këmbë për në Prishtinë.

Ata bartin flamuj kombëtarë, amerikanë, të minatorëve si dhe parullat “Duam bukë, punë dhe larg nga privatizimi i pasurisë kombëtare”.

Para se të niseshin për në Prishtinë, ata janë mbledhur në oborrin e Fabrikës së Akumulatorëve. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve të Parakohshëm të “Trepçës”, Ramadan Ademi, ka thënë se nuk kishte “lënë derë pa trokitur e as guri pa rrotulluar për të mos ardhur puna deri këtu”.

Ademi ka thënë se dje e ka parë vetë draftligjin për pensionistët e parakohshëm të Trepçës, që, siç tha ai, e ka hartuar një amerikan dhe përfshinë mbi 4200 ish-punëtorë, tani pensionistë të parakohshëm të Trepçës.

“Amerikani e ka kryer punën të hënën. Kemi shtesë, sipas atij projektligji, prej 55 eurove. Ashtu shkruan aty”, tha Ademi, duke kërkuar që të vendosin së bashku për hapat e ardhshëm.

Ai ka thënë se nuk ka mundur të sigurojë autobus për Prishtinë. “Kemi thënë të sigurojmë autobusat për Prishtinë, por nuk kemi mundur”, ka sqaruar ai para punëtorëve, që manifestonin shenja revolte.

Kryesindikalisti ka thënë se pasi e kanë paraqitur tubimin e sotëm si protestë, mund të shkojnë për Prishtinë, por ka kërkuar që t’i përmbahen kërkesave të paraqitura, pasi si tha, nuk shkojnë për të përmbysur shtetin.

“E kemi lanë shëndetin dhe rininë tonë këtu dhe na po kërkojmë një kafshatë bukë, djersën tonë, nuk po kërkojmë përmbysjen e shtetit. Të gjithë ata që mendojnë të dalin jashtë këtyre çka i kemi aprovuar së bashku, nuk janë me neve”, tha Ademi, duke përjashtuar çdo motiv politik në protestën e tyre.

Për ish-minatorin, Hajrullah Haliti, kjo është hera e dytë që niset në një marsh protestues drejt kryeqytetit. Në gjoks e ka vendosur një fotografi të marshit të para 22 vjetëve kur ai dhe minatorët e tjerë të Trepçës ishin nisur këmbë për në Prishtinë, në mbrojtje të të drejtave kombëtare. Marshi i tij i dytë i dukej i vështirë, por i imponuar.

Ai thotë se nuk e ka menduar se sërish do të nisej këmbë për në Prishtinë për të shfaqur pakënaqësinë, tash qeveritarëve të shtetit të vet, me trajtimin e tyre përbuzës, pas pushimit nga puna, si pasojë e vështirësive me të cilat përballen ish-minatorët.

Kërkesat e ish-punëtorëve janë artikuluar në katër pikë: Të aprovohet Ligji i punës, të aprovohet Ligji për pensionet, të aprovohet Ligji për sigurimin shëndetësor dhe, deri në aprovimin e këtyre ligjeve, pensionet e pensionistëve të parakohshëm të Trepçës të caktohen në shumë prej 160 euro në muaj .

Aktualisht janë mbi 4200 ish-punëtorë, pensionist të parakohshëm, në tri kategori, disa marrin nga 80 euro, disa nga 50 dhe disa nga 30 euro në muaj.

Në anën tjetër përmes një komunikate, Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Trepçës” e ka thirrur tubimin, duke u bazuar në kërkesat e ish-punëtorëve të këtij kombinati e që kanë të bëjnë me problemet e shumta dhe me pozitën e mjerë sociale –ekonomike të tyre.

Aty theksohet se po përjetojnë diskriminimin e pafund ish-punëtorët e Trepçës nga pushteti dhe qeveria, mjerim që po thellohet nga dita në ditë deri me sofrat boshe, të shumtën edhe pa bukën e gojës për fëmijët e tyre, pa barna, pa veshje e mbathje, si dhe trajtimin çnjerëzor me të cilën ballafaqohen në vazhdimësi edhe 11 vjet pas përfundimit të luftës, si të mos ishin qytetarë të Kosovës .

Në komunikatë thuhet se ish-punëtorët e Trepçës i hedhin poshtë pohimet e Qeverisë se këto të drejta kaq të rëndësishme për punëtorë nuk mund të realizohen në mungesë të ligjeve.

“Nëse qeveria jonë është e paaftë të nxjerrë ligje përkatëse atëherë ta aplikojë ligjin e paraluftës deri në miratimin e ligjit të ri, siç po veprohet me shumë ligje penale të asaj kohe”, thuhet në komunikatë. (KD)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›