Protestë për emigrantët, dhjetëra shqiptarë dhe italianë u grumbulluan në Shëngjin

Çështja e azilkërkuesve nga vendet e treta që shpëtohen në Mesdhe nga autoritetet italiane u rikthye sërish në vëmendje, ndërsa me dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile shqiptarë dhe italianë u bënë bashkë duke marshuar me pankarta në duar nën moton “marrëveshje ilegale, rezistence globale”. Për ta, marrëveshja është një dështim, ndërsa kjo protestë vjen kur aktualisht kampi i Gjadrit është totalisht i boshatisur.
Pasi qëndruan përreth 1 orë para Portit të Shëngjinit, aktivistet iu drejtuan kampit të Gjadrit, aty ku nuk ka asnjë emigrant pasi Gjykata e Romës bllokoi dërgimin e tyre dhe grupi i dytë prej 7 azilkërkuesve u kthyen sërish në Itali.
Protesta u monitorua nga forca të shumta policie, ku u bllokua edhe qarkullimi i automjeteve, por fatmirësisht nuk u regjistruan incidente.
Pas dy lundrimeve më 15 tetor dhe 8 nëntor, ku anija Libra solli 16 dhe 8 emigrantë në Shëngjin, ndalimi i të cilëve u anulua më pas nga gjykata e Romës, qendrat pritëse në Shëngjin dhe Gjadër qëndrojnë ende të hapura, ndonëse me personel të reduktuar, në pritje të vendimeve të drejtësisë në lidhje me këtë çështje.
/RTSH/