E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestë për sovranitet

Në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës dhe kundër zgjedhjeve ilegale serbe të paralajmëruara që të mbahen të dielën brenda territorit të vendit, organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë thirrje për mbajtje të një proteste masive. Në këtë thirrje gjithëpopullore, veteranët e UÇK-së kanë paralajmëruar mbajtjen e kësaj proteste në Mitrovicë.

Kjo është bërë të ditur të martën, përmes një njoftimi për media të lëshuar nga kryesia e OVL të UÇK-së.

“Kryesia e OVL të UÇK-së, në mbledhjen e mbajtur me datën 25 maj 2010, pas shqyrtimit të situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, mori vendim të kundërshtojë ashpër mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë”, thuhet në këtë njoftim.

Sipas tyre, moto e kësaj proteste është ‘Të mbrohet sovraniteti i Kosovës’.

Përkundër paralajmërimit për protestë, kryetari i veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, të martën nuk ka dashur të japë ndonjë sqarim për detajet e kësaj proteste.

“Për detajet e protestës, opinioni i gjerë do të njoftohet në ditët në vijim. Besoj që deri të premten do të kemi një konferencë për media”, tha Xhemajli për Express, pa dashur të japë më shumë detaje.

Për këtë protestë, zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se ende nuk kanë marrë lajmërimin zyrtar. Megjithatë, ata thonë se policia të dielën do të jetë e koordinuar, sikurse edhe herëve të tjera.

“Momentalisht nuk kemi ndonjë lajmërim zyrtar për këtë protestë. Të dielën policia do të ketë angazhim shtesë për mbikëqyrjen e votimeve të lajmëruara nga serbët dhe në anën tjetër kemi protestën e paralajmëruar nga veteranët e UÇK-së”, thotë Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin Mitrovicës.

Sipas tij, mbajtja e protestave dhe paralajmërimet për tubime të tilla, e obligon policinë që të ketë veprime të koordinuara.

Por derisa thirrja për protestë është bërë publike, zyrtarë të qeverisë së vendit deklarohen se ata nuk kanë asnjë informacion për këtë.

Kështu së paku deklaroi zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi.

“Këtë lajm po e dëgjoj tani nga ju”, tha Kuçi për Express, pa dashur të japë asnjë koment në lidhje me këtë çështje.

Gazeta ka tentuar të kontaktojë edhe zëdhënësin e Qeverisë, Memli Krasniqi.

Mirëpo përkundër përpjekjeve, më lehtë është të kontaktohet zëvendëskryeministri, sesa zëdhënësi i Qeverisë. Tentimet gjatë ditës së martë ishin të kota.

Strukturat paralele serbe kanë paralajmëruar që të dielën në veri të Mitrovicës dhe Novobërdë, do të organizohen zgjedhjet ilegale serbe për pushtetin lokal të organizuara nga Beogradi. Deri më tani nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare të përfaqësuesve vendor, apo ndërkombëtar lidhur me këto votime.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›