E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia për fqinjin

Në seancën e radhës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, trupi gjykues ka shqyrtuar rastin e të akuzuarit Ferki Ibrahimi. Ai akuzohet për vrasje të gruas së tij, e cila cilësohet si vepër e rëndë. Në lidhje me këtë çështje, para trupit gjykues ka folur dëshmitari Nexhmedin Haliti.

Dëshmitari Nexhmedin Haliti ka folur për marrëdhëniet që kishte me fqinjët e tyre, me të akuzuarin Ferki Ibrahimi dhe gruan e tij, Igballe Llalloshi. “ I njoh se i kam pasur fqinj. Unë punoj në mini-marketin tim, që është në hyrje të banesës ku kanë jetuar Ferkiu dhe Igballja dhe e di se kanë qenë fqinj të mirë”, tha para trupit gjykues dëshmitari Nexhmedin Haliti.

Madje ai ka shtuar se nuk kishte vërejtur asnjë ndryshim tek i akuzuari, pasi që është pyetur nga trupi gjykues në lidhje me këtë çështje.

“Unë nuk kam ditur rreth raporteve të tyre, nuk kam vërejtur konflikte midis tyre, këta të dy kanë dalë bashkë me fëmijët e tyre”, pohoi para trupit gjykues dëshmitari.
Megjithatë, për vdekjen e së ndjerës Igballe Llalloshi, dëshmitari thotë se ka dëgjuar nga fqinjët e tij. Në kohën kur ka ndodhur rasti, Nexhmedin Haliti tha se ka qenë para dyqanit të tij, kur gruaja që jeton sipër katit ku ka jetuar çifti në fjalë, ka thirrur për ndihmë.

“Kur ka ardhur ndihma e shpejtë, unë e kam pyetur vozitësin e veturës dhe ai më ka thënë se më duket që ka vdekur. Më vonë e kam kuptuar nga fqinjët që Igballja ka vdekur ”, tha dëshmitari Nexhmedin Haliti.

Trupi gjykues propozoi që të lexohet raporti mbi autopsinë, të bëhet shikimi i skicës së fotove dhe të lexohet ekspertiza psikologjike. Si përfaqësues i palës së dëmtuar, Bajram Tmava ka propozuar që në Gjykatë të ftohet ekipi i ekspertëve psikiatrikë, që kanë bërë raportin, për t’u sqaruar rrethanat e ngjarjes në fjalë.

Edhe avokati mbrojtës, Ramiz Krasniqi, ka kërkuar nga trupi gjykues që të merret raporti i para disa ditëve nga spitali në Pejë, i cili flet për sulmin që ka pasur i akuzuari Ferki Ibrahimi. Por këtë propozim, trupi gjykues e ka hedhur poshtë, përderisa përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar, avokati Bajram Tmava, ka kërkuar po ashtu që trupi gjykues të marrë parasysh dhe të administrojë si provë, raportin e policisë të njësisë rajonale.

Sipas Tmavës, raporti i policisë tregon për denoncimet që çifti i ka bërë disa herë në polici dhe ku Igballe Llalloshi është trajtuar si viktimë e rastit.

Trupi gjykues u pajtua që të thirren ekspertët e Mjekësisë ligjore, ndërsa u refuzua kërkesa e avokatit të të akuzuarit, për raportin në lidhje me gjendjen shëndetësore të akuzuarit Ferki Ibrahimi.

Në bazë të aktakuzës, Ferki Ibrahimi ka kryer vepër penale vrasje të rëndë, sipas nenit 147. Seanca e ardhshme do të mbahet më 24 qershor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›