Protestë për ujin, banorët kërcënojnë me grevë urie
Mbi 100 familje të lagjes Gostil të Kukësit protestuan përpara bashkisë pasi kanë më shumë se dy javë që nuk furnizohen fare me ujë të pijshëm. Banorët kërkojnë furnizim me ujë të pijshëm qoftë edhe me orar të reduktuar pasi nuk mund të përballojnë më blerjen e ujit dhe paralelisht pagesën e faturës së ujësjellësit. Pjesëtarët e 100 familjeve thonë se do të futen në grevë urie nëse nuk zgjidhet përfundimisht çështja e furnizimit me ujë. Kryetari i Bashkisë Hasan Halilaj, pasi u njoh me shqetësimin e këtyre banorëve, ka kërkuar nga Ministria e Transportit e cila ka dhënë fondet për ndërtimin e ujësjellësit të ri të qytetit, që të ndjekë punimet në terren për të shmangur problemet. “Zoti Olldashi e di shumë mirë se kryetari i Bashkisë nuk do të pajtohem me asnjë tolerancë në lidhje me ujësjellësin e Kukësit. Zotëria në fjalë le të vijë, ashtu siç e ka tenderuar, ashtu siç e ka shpallur firmën fituese, ashtu siç e ka shpallur firmën fituese provizore, le të vijë të kontrollojë gjithçka për paratë që ka shpenzuar për ujësjellësin e Kukësit”- tha Halilaj. Prej ditësh i gjithë qyteti i Kukësit po përballet me kufizim të orarit të furnizimit me ujë , cka ka bërë që shumë prej qytetarëve të vendosin depozitat apo të blejnë pompa kolektive. Qytetit të Kukësit dhe 14 fshatrave rreth tij, i janë akorduar 3.5 milion euro për ndërtimin e një ujësjellësi të ri, megjithatë nuk ende dihet nëse ai do të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë ashtu sic është parashikuar.
<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<
Emigrantët kthehen për Pashkët,
lëvizja e lirë deri më 7 maj
Emigrantët shqiptarë do të mund të hyjnë dhe dalin lirisht ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë në periudhën e Pashkës, pavarësisht problemeve të konsideruara nga pala greke me toponimet në pasaportat e fëmijëve të tyre. Kjo u arrit falë një marrëveshje ndërmjet drejtorive të kufirit të Shqipërisë dhe Greqisë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Në bazë të marrëveshjes deri në 7 maj do të lejohet lëvizja e lirë në Kapshticë ndërsa deri në 12 maj në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Pala greke ka nxjerrë problem me pasaportat e reja biometrike të emigrantëve shqiptarë, pasi pretendon që në këto dokumente identifikimi dhe vendlindja e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi të shkruhet edhe në greqisht. Festa e Pashkës pritet të sjellë një numër të madh emigrantësh shqiptarë në vendlindje. Vetëm në 24 orët e fundit nga pika e kalimit doganor e Kapshticës kanë hyrë nga Greqia për në Shqipëri 3824 emigrantë, ndërsa numri i shqiptarëve që kanë kaluar nga Shqipëria për në Greqi për të festuar Pashkën ka qenë i vogël.