TVSH-ja për fermerët, Qeveria anulon ligjin që miratoi vetë
Rikthehet TVSH për bujqësinë, ja skema e re e rimbursimit e prezantuar nga PD. Opozita: Skema e re një mashtrim elektoral. Malaj: Bizneset janë trembur
Qeveria është tërhequr nga ligji i iniciuar prej vetë asaj për heqjen e TVSH-së në bujqësi. Kjo do të thotë se fermerët nuk do të përfitojnë nga heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për lëndët e para. Një muaj pas miratimit në Parlament dhe ende pa hyrë në fuqi, Qeveria në mënyrë të papritur e ka anuluar ligjin, duke prezantuar një skemë krejtësisht të re. Diskutimet për ligjin mbi TVSH-në janë bërë dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku nuk kanë munguar as debatet mes mazhorancës dhe opozitës. Pjesë e komisionit kanë qenë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, të cilët kanë shpjeguar skemën e re.
Skema e re e TVSH-së
“Gjatë një periudhe të caktuar kohe që do të përcaktohet në VKM, që mund të jetë tre muaj, katër muaj, një muaj, të gjithë fermerët, të cilët kanë bërë blerje të lëndëve të para, plehra kimikë, farëra etj, i kanë blerë këto tek subjektet të regjistruar me TVSH. Kundrejt këtyre blerjeve ata kanë marrë faturat e nënshkruara me TVSH nga të tilla subjekte. Fermeri do të marrë faturat, do të kalojë tek agjencitë që janë aktualisht pranë drejtorive rajonale në bashki apo komuna dhe aty do të bëjë kërkesën e tij për kompensim të TVSH-së”, tha Arjana Dyrmishi, drejtoreshë e politikave fiskale në Ministrinë e Financave.
Opozita
Për opozitën, skema e re që bazohet te rimbursimi me para në dorë i fermerëve, është një mashtrim elektoral i pazbatueshëm në terren. “E gjithë formula është e parealizueshme dhe abuzive. Nëse ju nuk keni mundësi të kontrolloni dot importuesit e inputeve bujqësore, se si mund ta shkarkojnë çmimin e tyre sot nga TVSH-ja që nuk do të paguajnë, ky është problem i juaji. Por që t’i thuash fshatarëve sot, meqenëse unë nuk e kam dot këtë kontroll do të ndërmarr një veprim që nuk e kam aspak kontrollin, kjo është akoma më e turpshme”, tha deputeti socialist, Ilir Bejtja.
Funksionimi
Por kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho është shprehur se skema e re është edhe më e thjeshtë se më parë, dhe gjithashtu edhe më efektive. “Eshtë shumë më e thjeshtë, mendoj unë, dhe ka për të qenë mjaft më efektive, sepse direkt përfitimi do të shkojë të fermeri. E them këtë se ne praktikisht e aplikojmë një skemë të tillë. Kemi subvencionet për pemtarinë, për vreshtarinë, për ullinjtë, të cilat ia japim fermerit me një mekanizëm të tillë. Nuk ka përse të ketë dyshim që do të funksionojë apo jo, sepse ajo funksionon”, tha deputeti i PD, Edmond Spaho.
Bizneset
Ndërsa Arben Malaj, ish ministër i Financave ngriti shqetësimin e tërheqjes së bizneseve, duke theksuar se ndryshimet e shpeshta në ligjet tatimore po çorodisin biznesin duke frenuar investimet. “Unë ju garantoj që edhe nga kontaktet që kam me biznesin të gjithë pyesin: ‘Do të hyjë kjo politikë e re në fuqi apo jo? Do të hyjë këtë muaj, apo muajin tjetër? Ta bëjmë këtë investim tani apo të presim?’ Kështu që përveç të keqpërdorimit të politikave fiskale në këtë ambient elektoral është dëmi i madh që i bëni biznesit. Prandaj paketat fiskale nuk janë kurrë spontane. Nuk vijnë as nga takimet që bëhen në popull dhe as në mënyrë spontane se çfarë premton Kryeministri apo një ministër”, tha Malaj. Heqja e TVSH-së ishte një nismë e vetë qeverisë e ndërmarrë pak kohë më parë, ndërkohë që po vetë Qeveria hoqi dorë, për të mbështetur një skemë të re, atë të rimbursimit, por sa dakord janë vetë fermerët me këtë ndryshim, sigurisht që ata nuk janë pyetur.