Burri kafshon ish-bashkëshorten në qafë për xhelozi
52 vjeçari kanibal shkel urdhrin e mbrojtjes nga gjykata
Ndarja nga ish bashkëshortja i ka shkaktuar një 52 vjeçari një gjendje të pazakontë në sjelljet e tij, pasi duke shkelur urdhrin e mbrojtjes të dhënë nga gjykata, për ish gruan e tij S.E ai e ka dhunuar atë në mes të rrugës, duke e rrahur dhe në nerva e sipër e ka kafshuar disa herë në vesh, në qafë dhe në fytyrë. Sipas të dhënave nga policia nga dëshmitarët e rastit banorë të zonës së Sharrës, ku dy ish bashkëshortët banojnë, çifti është evidentuar në konflikte të vazhdueshme pasi 52 vjeçari ishte shumë i dhunshëm dhe disa herë për shkak të rrahjeve gruaja ka përfunduar në spitalin ushtarak në pavijonin e traumës. Çifti ishte ndarë prej disa vitesh, për shkak të dhunës së ushtruar nga 52 vjeçari ndërsa jetonin në një banesë për shkak se gruaja ishte dhe e sëmurë e nuk kishte mundësi financiare të shkonte të jetonte në një tjetër zonë.
Ngjarja
Sipas të dhënave nga komisariati nr 6, është hera e parë që në regjistrat e policisë shënohet një rast i tillë ku burri ka shfaqur shenja kanibalizmi ndaj ish-gruas me motiv xhelozinë. Nga të dhënat e policisë, ngjarja e rrallë është shënuar në mes të muajit Prill, në zonën pranë Varrezave të Sharrës në Tiranë, ku një 52-vjeçar ka kafshuar ish gruan e tij në momentin kur nuk ka kontrolluar dot nervat duke e parë në rrugë duke folur me një nga banorët e lagjes. Sipas të dhënave mendohet se gruaja e dhunuar ishte e divorcuar prej tij prej disa vitesh dhe para disa ditësh kishte marrë urdhrin e mbrojtjes nga gjykata. Sipas policisë, 52-vjeçari N.V e ka dëmtuar në pjesë të fytyrës ish-gruan e tij me pretendimin që ajo të mos kishte mundësi të lidhej me njeri tjetër. Të paktën ky ka qenë edhe deponimi që 52 vjeçari ka bërë në komisariat, duke shpjeguar se ai e kishte dhunuar në këtë mënyrë gruan e tij, pasi nuk donte që ta shikonte njeri tjetër.
Dhuna ekstreme
Nga të dhënat policore, burri e ka kafshuar në buzë, qafë dhe vesh ish-bashkëshorten me inicialet S.E e lindur në Dibër e banuese në Tiranë, mandej nga forca e ushtruar i ka këputur dhe lëkurë dhe mish duke e lënë të gjakosur në rrugë. Pasi ka mbetur e shtrirë në tokë të dhunuarën e kanë ndihmuar banorët e zonës, të cilët e kanë dërguar drejt spitalit ushtarak, në gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi gruaja ka pësuar shok. Dhunuesi më pas është larguar në drejtim të paditur për tu arrestuar para pak ditësh nga policia e Tiranës. Ish-bashkëshortja ndërkaq është në spital ku po kuron plagët nga ish-burri. Policia e ka marrë në mbrojtje pas një urdhër-mbrojtjeje. Duket se historia e ish-bashkëshortëve ka qenë e dhunshme prej kohësh. Mësohet se një vit më parë gruaja kishte përfituar një urdhër-mbrojte që ish-i shoqi të mos i afrohej banesës së saj, në një distancë prej 50 metrash.