Protestuesit dhunojnë e shkatërrojnë biznese dhe hapësira publike në zona të ndryshme në Tiranë

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Protesta e studentëve në Tiranë u shoqërua sot me tensione dhe akte dhune në disa zona të kryeqytetit.
Të ndarë në disa zona mes Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, protestuesit i vendosën zjarrin disa objekteve dhe ndërtesave. Disa prej tyre shkulën kangjellat në trotuare, duke spostuar edhe disa kosha mbeturinash në mes të rrugës.
Një tjetër grup protestuesish thyen xhamat e katit të parë të qendrës tregtare afër Parlamentit. Pas incidentit, në zonë ndërhynë efektivët e forcave “Shqiponja”, në përpjekje për të neutralizuar situatën.
Grupet e të rinjve iu drejtuan Bankës së Shqipërisë, duke sulmuar me disa kangjella të shkulura kabinën e rojës dhe thyen shatërvanin prej xhami.
Situata u përshkallëzua në zonën e “21 Dhjetorit”, ku disa protestues sulmuan Komisariatin nr. 2 të Policisë, hynë brenda oborrit të tij dhe dogjën edhe një automjet policie.
Në këtë zonë u regjistruan përplasje të drejtpërdrejta mes protestuesve dhe forcave të rendit. Pas përplasjeve, një pjesë e protestuesve u larguan nëpër rrugicat dytësore.
1 nga 40/e.i/r.e/