Protestuesit sulmojnë institucionet shtetërore, shkatërrojnë dhe i vënë flakën edhe bizneseve

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Protesta e studentëve dhe qytetarëve në Tiranë e nisur që prej orës 11:00 të paradites së sotme është shoqëruar me akte dhune dhe dëmtime të pronës publike e private.
Pas akteve të dhunës, sulmit ndaj Ministrisë së Arsimit dhe bizneseve në Rrugën e Durrësit, protestuesit u zhvendosën më tej në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ata goditën dhe thyen kamera sigurie, semaforë dhe tabela reklamash përgjatë rrugës që lidh qendrën e Tiranës me Kryeministrinë.
Pjesëmarrësit në protestë sulmuan me radhë të gjitha institucionet shtetërore duke nisur nga Ministria e Brendshme, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit si dhe ndaj Bankës së Shqipërisë.
Gjithashtu, ata tentuan të sulmojnë godinën e Kryeministrisë me fishekzjarre dhe molotovë, por janë ndaluar nga efektivët.
Policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e turmës, ndërsa situata është shoqëruar me përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit me presion.
Dhunës së protestuesve nuk i ka shpëtuar as Piramida në kryeqytet. Ata kanë thyer xhamat dhe sulmuar bizneset në brendësi.
Situata vijoi e tensionuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë godinës së Kryeministrisë, ndërsa një biznesi privat në dy kullat përballë Piramidës iu vendos flaka.
Protestuesit sulmuan bizneset te Kullat Binjake, duke shkatërruar disa prej tyre. Policia ndërhyri duke hedhur gaz lotsjellës, ndërsa një autobot e zjarrfikëse u përpoqën të menaxhonin flakët.
Një grup tjetër protestuesish arritë të thyejnë derën e Kryesisë së Kuvendit. Ata hodhën fishekzjarre e ndezën flakadanë, duke shkaktuar zjarr brenda godinës.
Një grup të rinjsh u zhvendos te Rruga e Elbasanit. Ata u vunë flakën koshave të mbeturinave, kanë shkatërruar semaforë dhe pjesët metalike në trotuarin buzë lumit Lana duke penguar edhe qarkullimin e automjeteve.
Aktet e dhunës vijuan të përshkallëzohen me një grup të rinjsh që sulmuan me gurë katet e para të një qendre tregtare afër Parlamentit. Policia ndërhyri, duke shoqëruar disa prej tyre.
Ndërsa, një grup tjetër protestuesish sulmoi me gurë dhe molotovë Ministrinë e Drejtësisë.
Efektivët e Policisë përdorën gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën, e cila më pas u zhvendos në drejtim të Parlamentit.
Një pjesë e protestuesve janë zhvendosur te “Zogu i Zi”. Disa prej tyre kanë shkulur kangjellat në bulevard, duke spostuar edhe disa kosha mbeturinash në mes të rrugës.
Protestuesit u ndanë në dy grupe duke u pozicionuar një pjesë te zona e 21 Dhjetorit dhe një tjetër në Rrugën e Durrësit.
Gjatë përplasjeve me Policinë u hodhën edhe lëndë piroteknike. Dy automjete të parkuara u dogjën plotësisht.
Protestuesit kërkojnë përmirësimin e kushteve në universitete, uljen e kostove të arsimit të lartë, më shumë mbështetje financiare për studentët dhe perspektiva më të mira punësimi pas diplomimit. Po ashtu, ato kanë parashtruar dhe kërkesa politike, mbi të gjitha largimin e qeverisë.
(vijon…)
1 nga 46/e.i/r.e/a.f/