Protestuesit në ditën e pestë para Ministrisë së Arsimit, hidhen gurë dhe mjete piroteknike

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Protesta e të rinjve vijon edhe sot para Ministrisë së Arsimit, ku për të pestën ditë radhazi po protestojnë kundër klasës politike në vend.
Të rinj dhe qytetarë kanë marshuar nga drejtime të ndryshme për t’u mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ku ka qenë nisja e protestave të këtyre pesë ditëve të fundit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e situatës.
Gjatë protestës një grup të rriturish duke iu drejtuar efektivëve të policisë kërkuan llogari për shoqërimet e protestuesve gjatë ditës së mëparshme.
Rreth mesditës, nisën aktet e para të dhunës ndërsa protestues të maskuar kanë shkulur kangjellat pranë Ministrisë së Arsimit dhe i vendosën në mes të rrugës.
Një protestues i maskuar u pa mbi murin rrethues të Ministrisë së Arsimit, duke valëvitur flamurin “autokton”.
Nuk kanë munguar as momentet e tolerancës kur një efektiv i ka zgjatur dorën një protestuesi të maskuar, ndërsa nuk raportohen përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Të rinjtë protestues kanë hedhur vezë dhe lëndë piroteknike në drejtim të policisë.
Protestuesit kanë krijuar barrierë me policinë duke vendosur koshat e mbeturinave në mes të rrugës prej nga del edhe tym, ndërsa policia është pozicionuar pranë hyrjes së Ministrisë së Arsimit.
Të rinj të maskuar kanë nisur të godasin me gurë dhe mjete piroteknike ndaj godinës.
Pas kësaj, policia ka hedhur gaz lotsjellës duke shpërndarë momentalisht protestuesit. Këta të fundit janë vendosur në rrugicat pranë për t’i shpëtuar efekteve të gazit.
Protestuesit pretenduan se policia po qëllon ndaj tyre me plumba gome.
Policia ka hequr barrierat me kosha dhe kangjella metalike nga rruga dhe tashmë policia është pozicionuar në rrugë përballë protestuesve.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë kanë vijuar me ndërprerje të shkurtra, ndërsa policia ka hedhur ujë me presion ndaj tyre. Të rinjtë me maska vijojnë të hedhin gurë ndaj policisë ndërsa kjo e fundit ka shtuar ndërhyrjen.
Protesta vijon në Rrugën e Durrësit duke u larguar disi nga hyrja e Ministrisë së Arsimit pas autoboti i ujit largoi turmën.
Policia u tërhoq në një moment, kur tensionet ishin përshkallëzuar, ndërsa ka vijuar hedhja e gazit lotsjellës që ka shpërndarë një pjesë të mirë të njerëzve.
Protestuesit të shpërndarë përgjatë Rrugës së Durrësit i kanë flakën vendrojës te ambasada e Vatikanit, së cilës disa ditë më parë iu hoq edhe flamuri.
Në protestat e zhvilluara katër ditët e fundit në kryeqytet janë shënuar akte të dhunshme dhe përplasje mes të rinjve dhe forcave të policisë.
Protesta para Ministrise se Arsimit, foto; Florian Abazaj 1 nga 18(Vijon…)