Protestuesit sulm verbal ndaj deputetes, Koçiu: Kjo nuk është as protestë, as shprehje e zemërimit qytetar

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu publikoi sot pamje nga protesta pranë Kuvendit, ku një protestuese shihet duke ndjekur deputetë në ambientet e bizneseve pranë godinës së Parlamentit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu e dënoi këtë sjellje, duke e cilësuar si dhunë dhe jo si protestë apo shprehje të zemërimit qytetar.
“Kjo nuk është as protestë, as shprehje e zemërimit qytetar. Është dhunë e mirëfilltë dhe e shëmtuar, e cila duhet dënuar me forcë, pa asnjë hezitim dhe pa asnjë justifikim”, shkroi Koçiu.
Ajo u ndal veçanërisht te rasti i deputetes Iris Luarasi, duke e cilësuar të papranueshme dhunën ndaj përfaqësuesve të institucioneve dhe deputetëve.
“Dhuna ndaj përfaqësuesve të institucioneve dhe deputetëve, veçanërisht ndaj grave, si në rastin e sotëm ndaj Iris Luarasit, është një akt i turpshëm”, u shpreh Koçiu.
Zëvendëskryeministrja theksoi se sjellje të tilla nuk përfaqësojnë Shqipërinë europiane.
“Aq më e rëndë bëhet kur nxitet nga vetë gratë. Sjellje të tilla nuk përfaqësojnë dhe nuk mund të përfaqësojnë Shqipërinë europiane”, deklaroi Koçiu.
1 nga 3/gj.m/r.e/